Institucionet ligjzbatuese në Kosovë kanë kryer mbrëmjen e së shtunës një operacion të gjerë, ku kanë kapur mallra të kontrabanduara dhe që dyshohet se për më keq janë edhe të falsifikuara.
Vlera e tyre shkon në rreth 150 mijë euro. Bëhet fjalë për barna dhe produkte të tjera.
Deri më tani janë arrestuar dy kosovarë nga rajoni i Prizrenit.
Kapja e pajisjeve elektronike të tyre ka zbuluar se ata dyshohet se funksionojnë si rrjet.
Operacioni pritet të vërë në pranga madje edhe persona të tjerë, përfshirë edhe zyrtarë nga Policia e Kosovës dhe Dogana.
Ky rast u konfirmua edhe ne raportin 24 orësh “Fushë Kosovë 17.10.2026 – 22:40. Njësitë e Sektorit të Hetimeve të Policisë Kufitare, gjatë trajtimit të informatave lidhur me dyshimet për kontrabandë me mallra, kanë ndaluar për kontrollim një automjet transportues (kombi) me targa vendore në të cilën ndodheshin dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit të automjetit është gjetur një sasi të konsiderueshme mallrash të kategorive të ndryshme përfshirë: barna, produkte higjienike, bizhuteri, veshmbathjeve, pajisjeve teknologjike, kompjuter, llap-top dhe telefona celularë. Të dyshuarit gjatë intervistimit kanë deklaruar se mallrat i kishin sjellë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo asnjëri prej tyre nuk ka prezantuar dokumentacion përkatës që dëshmonte importin e ligjshëm të mallrave. Në cilësi të provës materiale përveç mallrave të gjetura është sekuestruar edhe automjeti transportues. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.