Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësimin e saj për zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke theksuar se ky vend është si shtëpi për Kosovën.
Ajo vlerësoi se është e rëndësishme që kërkesat e studentëve të dëgjohen dhe të trajtohen nga institucionet përkatëse.
“Unë besoj se secili në Republikën e Kosovës i ka përcjell me shqetësim zhvillimet në Shqipëri. Ajo çka po ndodh atje sigurisht që na shqetëson të gjithëve, sepse Shqipëria për ne është shtëpi. Sikurse për mua, besoj që edhe për juve”, u shpreh Haxhiu.
Ajo theksoi se institucionet shqiptare kanë përgjegjësi që t’u kushtojnë vëmendje kërkesave të studentëve.
“Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet. Besoj që secili prej drejtueseve të institucioneve atje, Kuvendi, Kryeministria dhe Presidenca, e ka për obligim që t’i trajtojë kërkesat e studentëve”, tha ajo.
Haxhiu u shpreh gjithashtu kundër dhunës, duke theksuar se ajo duhet të ndalet nga të dyja palët.
“Thërras që me maturi, seriozitet të tejkalohen ndasitë”, deklaroi ajo.
Sa i përket pjesëmarrjes apo mbështetjes së protestave, Haxhiu tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë thirrje për mbështetjen e tyre, duke theksuar se kjo çështje nuk i takon kësaj partie.
“Nuk ka pasur asnjë thirrje nga Vetëvendosje që të mbështeten protestat, nuk i takon Vetëvendosjes kjo”, përfundoi Haxhiu.