Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka kërkuar drejtuesve të shkollave që të dokumentojnë me sa më shumë detaje zhvillimet e ditëve të fundit, në mënyrë që ato të shërbejnë si bazë për reflektim dhe ndërhyrje të mëtejshme, pasi situata të qetësohet.
Gjatë një paraqitjeje mëngjesin e sotëm, Rama tha se drejtuesit e institucioneve arsimore duhet të mbajnë një ditar, ku të përshkruajnë ngjarjet e ndodhura dhe mënyrën se si janë zhvilluar ato.
Sipas kryeministrit, ky proces dokumentimi do të ndihmojë në krijimin e një pasqyre të plotë të situatës, me qëllim identifikimin e problematikave dhe përcaktimin e fushave ku nevojiten ndërhyrje në sistemin arsimor.
“Përtej këtyre ditëve, kemi ndërkohë të bëjmë një reflektim, duke u mbështetur te ju, te eksperienca juaj. Tani drejtoni edhe mësuesit, edhe institucionet tuaja. Dini ta shihni arsimin parauniversitar. Kemi dakordësuar me ministren dhe me disa këshilltarë idenë që secili prej jush të shkruajë ditarin e këtyre ditëve, sa më të detajuar, çfarë ndodhi, si ndodhi”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se përmes këtij dokumentimi synohet të krijohet një pasqyrë sa më e plotë e ngjarjeve, e cila do të shërbejë për të analizuar problematikat dhe për të përcaktuar masat që duhen ndërmarrë.
Gjatë fjalës së tij, Rama ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e hapësirave virtuale në marrëdhëniet shoqërore të fëmijëve. Sipas tij, fëmijët po e humbasin gradualisht aftësinë për të socializuar dhe për të zhvilluar empati.
“Për të pasur mozaikun e një historie që do na vlejë për të reflektuar sapo gjërat të qetësohen. Për të kuptuar se ku duhet të ndërhyjmë. Fëmijët po humbin pak nga pak socialen. Socializimi i tyre po ndodh në hapësirë artificiale. Është fundi i empatisë”, u shpreh Rama.