Insajderi
Analiza

Vendimi i Inspektoratit zbulon shkeljet në “Vatan Med” – transplant flokësh dhe staf i huaj pa licencë

Insajderi
20 October 2026 - 15:19
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Vendimi i Inspektoratit zbulon shkeljet në “Vatan Med” – transplant flokësh dhe staf i huaj pa licencë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.


Transplant flokësh, PRP dhe mezoterapi pa licencë. Këto janë disa nga shërbimet që ofroheshin në klinikën e dermatologjisë “Vatan Med” në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, sipas gjetjeve të Inspektoratit Shëndetësor. Gjatë kontrollit, inspektorët gjetën edhe dy shtetas të huaj duke kryer ndërhyrje te pacientët, pa dokumentacionin e nevojshëm për licencimin e tyre në Kosovë. Për këto shkelje, klinika është gjobitur me 6 mijë euro, sipas vendimit të siguruar nga Gazeta Insajderi.

Inspektimi në këtë institucion privat shëndetësor është kryer më 16 shkurt 2026, pas një ankese të një pacienti.

Sipas vendimit me numër protokolli 10/GK-007/26, klinika “Vatan Med SH.P.K.”, me themelues Ugur Ozturk, është ndëshkuar për shkelje të dispozitave të Ligjit për Shëndetësi.

“Institucionit privat shëndetësor ‘Vatan Med SH.P.K.’, me themelues z. Ugur Ozturk […] për shkelje të dispozitave të Ligjit për Shëndetësi […] i shqiptohet gjobë me vlerë prej 6,000 eurosh”, thuhet në vendimin që e ka siguruar Insajderi.

Shërbimet ofroheshin pa licencë që nga viti 2023

Sipas dokumentit, në ditën e inspektimit klinika ishte e hapur dhe po ofronte shërbime mjekësore, përfshirë procedurat e transplantimit të flokëve dhe PRP-së, të cilat nuk figuronin të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Inspektorët kanë konstatuar se transplantimi i flokëve, PRP-ja dhe mezoterapia po ofroheshin pa licencën përkatëse që nga 7 gushti 2023.

Kjo do të thotë se, sipas gjetjeve të pasqyruara në vendim, shërbimet në fjalë ishin ofruar për më shumë se dy vjet pa licencimin përkatës nga Ministria e Shëndetësisë.

Një tjetër shkelje e evidentuar nga inspektorët lidhet me angazhimin e dy shtetasve të huaj, Aybüke Filcan dhe Ahmet Göksu, të cilët u gjetën duke kryer ndërhyrje te pacientët.

Sipas vendimit, për këta dy persona nuk u paraqitën dëshmi për kualifikimin profesional dhe as vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë që do t’u mundësonte ushtrimin e veprimtarisë si profesionistë të huaj shëndetësorë në Kosovë, në përputhje me nenin 12 të Udhëzimit Administrativ për licencimin e profesionistëve të huaj shëndetësorë.

Në njërën nga dhomat e klinikës ishte e pranishme edhe një mjeke vendore e licencuar, por, sipas inspektorëve, ndërhyrjet te pacientët po kryheshin nga dy shtetasit e huaj.

Gjatë kontrollit, Inspektorati Shëndetësor ka evidentuar edhe mospërputhje në dokumentacionin e klinikës.

Në formularët e përcjelljes së pacientëve figuroi emri i Granit Musliut, i shënuar si konsulent për transplantimin e flokëve.

Megjithatë, sipas vendimit, ai nuk figuron i regjistruar si personel në Ministrinë e Shëndetësisë.

Inspektorët kanë gjetur gjithashtu se disa pacientë të cilëve u ishin ofruar shërbime nuk figuronin në regjistrin zyrtar të pacientëve.

Në vendim përmendet rasti i pacientit me inicialet B.B., i cili kishte vizituar klinikën më 31 janar dhe 7 shkurt 2026, por nuk figuroi në regjistrin përkatës.

Gjobë prej 6 mijë eurosh

Për shkeljet e evidentuara, Inspektorati Shëndetësor ka shqiptuar gjobë prej 6 mijë eurosh ndaj “Vatan Med SH.P.K.”.

Sipas vendimit, gjoba duhej të paguhej brenda 15 ditëve. Nëse paguhej brenda afatit të përcaktuar, klinika mund të përfitonte zbritje prej 50 për qind të shumës së shqiptuar.

“​​Në rastin e pagimit të gjobës në afatin e përcaktuar […] i dënuari lirohet nga pagimi 50% nga shuma e gjobës së shqiptuar”, thuhet në dokument.

Nga kërkimet që Insajderi ka bërë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, del se shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “VATAN MED SH.P.K.” është e regjistruar që nga 17 korriku i vitit 2019.

Pronar i vetëm me 100% të kapitalit prej 1,000 eurosh figuron shtetasi nga Turqia, Ugur Ozturk (i njëjti i përmendur në vendimin e Inspektoratit).

Drejtor menaxhues dhe përfaqësues i autorizuar i biznesit është shtetasi turk Isa Yilmaz.

Biznesi ka të deklaruar gjithsej 24 punëtorë. Si aktivitet kryesor ka të regjistruar “Aktivitetet e mjekësisë së specializuar”, ndërsa ndër aktivitetet e tjera përfshihen edhe “Sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë”, “Aktivitetet e mirëmbajtjes trupore” , e deri te tregtia me pakicë e barnave.

Ndonëse “Vatan Med” nuk iu përgjigj pyetjeve të Insajderit, as me shkrim dhe as përmes telefonit, në rrjetet sociale të klinikës vazhdojnë të publikohen fotografi të pacientëve që paraqiten si raste të suksesshme të transplantimit të flokëve.

Në publikimet e saj, klinika promovon edhe teknikën “Nexbrow”, ndërsa nuk është e qartë nëse kjo procedurë është e përfshirë në licencimin e saj nga Ministria e Shëndetësisë.

Nuk përjashtohet mundësia që, pas inspektimit të shkurtit dhe shqiptimit të gjobës, klinika të ketë siguruar licencat për shërbimet përkatëse, por, në mungesë të një përgjigjeje nga ana e saj, Insajderi nuk ka mundur ta konfirmojë këtë.

/Insajderi

Lexo edhe:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark