
Mustafa në Bruksel u takua me disa zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, mes tyre presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker dhe komisionerja për Siguri dhe Politikë të Jashtme në BE, Frederica Mogherini.
Kryeministri i vendit Isa Mustafa, i cili sapo është kthyer nga Brukseli, tha se gjatë vizitës në Bruksel, ka marrë vlerësime për progresin e arritur në vend, po nuk ka marrë “ndonjë datë të saktë”.
“Kemi besim të plotë se ata do të vlerësojnë në mënyrë të drejtë dhe sipas meritave, përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe as që ne do të trajtohemi në mënyrë të veçantë, mbi meritat në përmbushjen e këtyre kritereve. Datë të saktë nuk ka. Natyrisht se data përcaktohet në Bruksel, nga institucionet e BE-së dhe jo nga ne”, tha ai.
Ai thotë se në bazë të bisedave që kanë pasur me përfaqësuesit e BE-së, u është thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha ato që është kërkuar prej tyre për këtë fazë të dhënies së rekomandimeve për liberalizim të vizave
Ndryshe, edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi dje ka deklaruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, fjalë të cilat ish-kryetari i PDK-së vazhdon t’i theksoj që prej kohës kur ishte kryeministër. /Insajderi.com