Bedri Hamza ka thënë se kishte shpresuar që pas 16 shtatorit, pozitën e kryetarit të PDK-së t’ua dorëzonte ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në Hagë.
Hamza, i cili sot njoftoi dorëheqjen e parevokueshme nga udhëheqja e PDK-së, tha se kishte pritur deri në momentin e fundit që ish-krerët të ktheheshin në Kosovë dhe të vazhdonin vetë rrugëtimin e tyre politik.
“Kam besuar se menjëherë pas 16 shtatorit ata do të ktheheshin dhe do të vazhdonin vetë rrugëtimin e tyre politik. Edhe përkundër rrethanave të mia personale, kam qëndruar dhe kam vazhduar me shpresën se kjo ditë do të vinte. Por, 16 shtatori fatkeqësisht e padrejtësisht na bëri këtë shpresë edhe pak më të largët”, tha Hamza.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Hamza tha se dorëheqja e tij nuk do të ndikojë në angazhimin e PDK-së për lirimin e tyre.
“Megjithatë, as unë as PDK-ja nuk do të dorëzohemi në përpjekjet tona për lirimin e tyre. Do të vazhdojmë të angazhohemi për drejtësi, për të vërtetën dhe për kthimin e tyre pranë familjeve, pranë popullit dhe pranë Kosovës, sepse lirinë e tyre e duam edhe më shumë sesa lirinë tonë”, u shpreh ai.