Race for the Cure Kosovo ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave esenciale për pacientët që trajtohen në Klinikën e Onkologjisë në Kosovë, duke sjellë në vëmendje rastin e një pacienteje, e cila, sipas njoftimit të organizatës, mbeti për rreth katër muaj pa terapinë Palbociclib për shkak të mungesës së saj dhe çmimit të lartë në treg.
Përmes një njoftimi publik, organizata ka treguar se pacientja ishte duke u trajtuar me Palbociclib dhe se gjendja e saj shëndetësore ishte e mirë, por mungesa e këtij bari për afro katër muaj ia pamundësoi vazhdimin e terapisë.
Sipas Race for the Cure Kosovo, pacientja kishte shpresuar çdo ditë që bari të bëhej i disponueshëm, por pamundësia për ta siguruar atë për shkak të kostos së lartë bëri që ajo të mbetej pa trajtim gjatë kësaj periudhe.
Organizata bën të ditur se gjatë kësaj kohe pacientja zhvilloi metastaza të reja në tru dhe, në fund, humbi jetën.
“Dhe… në fund humbi jetën. Ajo kishte dëshirë të madhe të jetojë, të gëzohet për çdo ditë”, thuhet në reagimin e organizatës.
Race for the Cure Kosovo ka bërë të ditur se ka reaguar edhe më herët publikisht për këtë çështje, ndërsa edhe vetë pacientja kishte dhënë deklaratën e saj publike lidhur me mungesën e terapisë.
Përmes këtij rasti, organizata ka rikthyer vëmendjen te problemi i furnizimit me barna për pacientët që vuajnë nga sëmundjet malinje, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të vazhdueshëm të terapive të nevojshme.
“Prandaj, sigurimi i barnave esenciale për pacientët onkologjikë, për të gjithë, është detyrë morale e secilit që duhet të veprojë për të zgjatur jetën e këtyre pacientëve, duke filluar nga QKUK-ja, SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në reagimin e Race for the Cure Kosovo.
Organizata u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të angazhohen për sigurimin e barnave esenciale, në mënyrë që pacientët onkologjikë të kenë qasje në terapitë e nevojshme dhe të mos përballen me ndërprerje të trajtimit për shkak të mungesës së furnizimit apo kostos së lartë të barnave.