Insajderi
Hulumtime/Analiza

Përveç uzurpimit të pronës komunale, Kompania “Hazrolli” dyshohet se po shfrytëzon trafon e shkollës për furnizim me rrymë

Insajderi
22 October 2026 - 15:56
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Përveç uzurpimit të pronës komunale, Kompania “Hazrolli” dyshohet se po shfrytëzon trafon e shkollës për furnizim me rrymë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kompania “Hazrolli”, pronë e vëllezërve Afrim dhe Burim Hazrolli e që operon në zonën industriale në Shirolë të Suharekës, dyshohet se është lidhur në trafon e shkollës së mesme “Abdyl Ramaj” për furnizimin me energji elektrike të biznesit të saj. Drejtori i shkollës konfirmon se kompania ka investuar në trafon në oborrin e institucionit arsimor, e paraqet si investim nga Hazrolli.

Gazeta Insajderi

Kompania “Hazrolli”, e cila operon në zonën industriale në Shirolë të Suharekës, përveç dyshimeve për shfrytëzimin e paligjshëm të rreth 40 ari tokë në pronësi të Komunës së Suharekës, dyshohet edhe për përdorimin e trafos së shkollës së mesme “Abdyl Ramaj” për furnizimin me energji elektrike të kompanisë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Insajderi, kompania dyshohet se ka bërë lidhje në trafon e vendosur në oborrin e shkollës, me qëllim të furnizimit me energji elektrike të veprimtarisë së saj.

Pamjet satelitore të siguruara nga Insajderi tregojnë lokacionin e trafos në oborrin e shkollës.

Në foto shihet shkolla në anën e majtë ndërsa në anën e djathtë është kompania “Hazrolli”. Trafo ndodhet në mes. E rrethuar me të zezë.

Një banor i zonës, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë, ka deklaruar për Insajderin se kompania dyshohet se është lidhur në trafon e shkollës që në kohën kur ka nisur ndërtimin e objektit të saj.

“Nëse do ta ndërtonte trafon e vet, do ta ndërtonte në oborrin e vet dhe jo në oborrin e shkollës. Ai është lidhur në të zezën. Nuk e di kujt i shkojnë shpenzimet. Si biznes, nuk ka të drejtë të lidhet në trafon e shkollës. Asnjëri nga banorët aty nuk kemi qasje në trafon e shkollës. Kur e kanë ndërtuar fabrikën, janë lidhur në të zezën”, ka deklaruar banori për Insajderin.

Kompania kërkon takim fizik me gazetarët

Të pyetur nga Insajderi lidhur me këto pretendime, përfaqësuesit e kompanisë “Hazrolli” kanë kërkuar që takimi të zhvillohet fizikisht, duke mos ofruar përgjigje dhe dokumente përmes komunikimit elektronik.

“Ju lutem, ejani dhe binduni vetë për të vërtetën, duke parë dokumentet e faktet. Ne jemi të gatshëm t’ju përgjigjemi në të gjitha temat që keni shprehur interes. Sepse ju jeni bazuar, së paku, në atë që quhet fjalë e rrugës, e jo në fakte. Ju urojmë punë të mbarë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë drejtuar Insajderit.

Insajderi ka marrë gjithashtu një qëndrim nga drejtori i shkollës së mesme “Abdyl Ramaj”, Destan Berisha, i cili ka konfirmuar se është në dijeni për përdorimin e trafos në oborrin e shkollës nga kompania private.

Sipas tij, kompania “Hazrolli” ka investuar në trafo, duke bërë ndryshimin e saj dhe duke rritur kapacitetin.

“Trafo është investim prej Hazrolli. Është bërë ndryshimi i trafos sonë, e kanë marrë me kapacitet më të madh. Nuk ka të bëjë me trafon e parë. Trafo e vjetër është aty e vendosur”, ka deklaruar Berisha për Insajderin.

Drejtoria e Arsimit nuk është përgjigjur

Insajderi ka kontaktuar edhe Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Suharekës, për të marrë sqarime lidhur me përdorimin e trafos së vendosur në oborrin e shkollës së mesme “Abdyl Ramaj” nga kompania private “Hazrolli”.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Drejtoria e Arsimit në Suharekë nuk i është përgjigjur interesimit të Insajderit.

Lexi edhe këtë:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark