Insajderi
Lajme

Ligji për Specialen, Haziri: Nuk kemi kërkuar kurrë një ligj sa për ta votuar, por një ligj që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real

Insajderi
22 October 2026 - 21:58
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ligji për Specialen, Haziri: Nuk kemi kërkuar kurrë një ligj sa për ta votuar, por një ligj që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvendin e Kosovës.

Haziri ka thënë se ky zhvillim është përcjellë me reagime dhe akuza të shumta. Ai ka theksuar se qëllimi i protestuesve ka qenë që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.

“Po shoh shumë reagime e akuza pas kthimit të ligjit në Kuvend, prandaj dua ta sqaroj edhe një herë qëndrimin tonë. Për 21 ditë e 21 net kemi qëndruar në shesh me një kërkesë të vetme: që institucionet tona të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Kemi protestuar për një kauzë që është shumë më e madhe se secili prej nesh”, thuhet në shkrim.

Ai ka bërë të ditur se do ta përcjellin me kujdes çdo hap deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit, si dhe do ta monitorojnë zbatimin e secilit nen.

“Ne vetë kemi kërkuar që, nëse ka diçka në ligj që duhet ndryshuar apo përmirësuar, kjo të bëhet. Sepse ne nuk kemi kërkuar kurrë një ligj sa për ta votuar, por një ligj që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real. Për ne nuk ka rëndësi kush e propozon apo kush e voton. Ka rëndësi çfarë përmban ligji dhe çfarë mund të bëjë ai. Do të vazhdojmë ta përcjellim me shumë kujdes çdo hap deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit”.

“Do të vazhdojmë ta monitorojmë edhe zbatimin e çdo neni e çdo shkronje. Nuk besoj se dikush do të tentojë të luajë me UÇK-në dhe me këtë kauzë. Por kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, duhet ta dijë se do të na ketë përballë. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Kërkesa jonë nuk ka ndryshuar. Kauza jonë nuk ka ndryshuar. Për UÇK-në kemi qëndruar bashkë dhe për UÇK-në do të vazhdojmë të qëndrojmë”, shkroi Haziri.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark