Shkruan: Bedri Elezi
Vrasja tragjike e Arlinda Zekajt nga Peja, nënë dhe qytetare që duhej të kishte mbrojtjen e shtetit, është një ngjarje që kërkon reagim të fuqishëm, përgjegjësi institucionale dhe një hetim të paanshëm e të gjithanshëm. Kur një qytetare humb jetën në rrethana që ngrenë dyshime për dështimin e mekanizmave të mbrojtjes, shteti duhet të japë përgjigje, jo të fshihet pas heshtjes dhe deklaratave formale.
Prej kohësh, nga pozicioni im si ekspert i sigurisë, kam ngritur shqetësimin për nevojën urgjente të dekriminalizimit të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, forcimit të integritetit profesional dhe largimit të çdo ndikimi të kundërligjshëm që mund të cenojë funksionimin e tyre. Ngjarje të tilla e bëjnë edhe më të domosdoshme që këto shqetësime të trajtohen me seriozitet nga institucionet përgjegjëse.
Siguria e qytetarëve nuk mund të mbetet peng i neglizhencës, papërgjegjësisë apo dështimeve institucionale. Çdo sinjal rreziku duhet të trajtohet me profesionalizëm, çdo kërcënim duhet të vlerësohet me seriozitet dhe çdo mekanizëm ligjor i mbrojtjes duhet të funksionojë pa vonesa e pa diskriminim.
Nëse hetimet vërtetojnë se ka pasur paralajmërime të shpërfillura, mosveprime, neglizhencë apo shkelje të detyrës zyrtare, përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Nuk mjafton të hetohet vetëm autori i drejtpërdrejtë i një krimi; duhet të hetohet edhe nëse institucionet kanë vepruar në kohë, në përputhje me ligjin dhe me detyrimin për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Kërkojmë:
Nuk mund të lejojmë që tragjedi të tilla të shndërrohen në lajme që harrohen pas disa ditësh. Jeta e një qytetareje nuk mund të trajtohet si statistikë dhe përgjegjësia shtetërore nuk mund të zëvendësohet me deklarata ngushëllimi.
Shteti matet me aftësinë për të mbrojtur jetën e qytetarëve, për të parandaluar krimin dhe për të vënë para përgjegjësisë këdo që dështon ose abuzon me detyrën.
Arlinda Zekaj meriton drejtësi. Familja e saj meriton përgjigje. Qytetarët e Kosovës meritojnë institucione të pastra, profesionale dhe të besueshme.
Dekriminalizimi i institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë nuk është çështje retorike apo politike. Është domosdoshmëri shtetërore, kusht për sundimin e ligjit dhe garanci për sigurinë e qytetarëve.