Insajderi
Hulumtime/Analiza

KO Med-it që SHSKUK ia ndërpreu kontratën pasi pajisjet rrezikuan pacientët gjatë ndërhyrjeve, i jepet tenderi mbi 234 mijë euro në Gjilan

Insajderi
28 October 2026 - 14:58
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
KO Med-it që SHSKUK ia ndërpreu kontratën pasi pajisjet rrezikuan pacientët gjatë ndërhyrjeve, i jepet tenderi mbi 234 mijë euro në Gjilan
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kompania “KO MED” L.L.C., së cilës Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ia ndërpreu një kontratë në vlerë prej 47 mijë e 500 eurosh, pas problemeve të raportuara nga mjekët me pajisjet e përdorura gjatë ekzaminimeve të zemrës, është shpallur fituese e një tenderi tjetër në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Gazeta Insajderi

Më 26 tetor 2026, Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka nënshkruar kontratë për furnizimin me aparatura mjekësore për Repartin e Hemodializës, në vlerë prej 234 mijë e 199 eurosh.

Tenderi i është dhënë kompanisë “KO MED”, e cila së fundmi është përmendur pas ndërprerjes së kontratës me SHSKUK-në, për shkak të problemeve të raportuara nga mjekët me një produkt të përdorur gjatë procedurave të kardiologjisë invazive.

Ndërkohë, në garën për tenderin e Gjilanit, kompania Medi Health L.L.C. kishte kundërshtuar mënyrën e vlerësimit të ofertave, duke ngritur pretendime për përputhshmërinë teknike të pajisjeve të ofruara nga kompania fituese.

Dyshimet se kompania fituese nuk përmbushi kriteret

Medi Health L.L.C. kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim më 30 gusht 2026, duke kundërshtuar vendimin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit për eliminimin e ofertës së saj nga gara për furnizimin me aparatura mjekësore për Repartin e Hemodializës.

Në ankesën e saj në OSHP, kompania kishte ngritur pretendime për mënyrën e vlerësimit të ofertave, dokumentacionin teknik të pajisjeve të ofruara nga KO MED dhe qasjen në dokumentet e kompanisë fituese.

Një nga çështjet kryesore të ngritura nga Medi Health lidhej me përputhshmërinë e aparaturës DIANOVA X1, për të cilën kompania pretendonte se nuk ishin dëshmuar të gjitha karakteristikat teknike të kërkuara në dosjen e tenderit.

Ndër karakteristikat për të cilat Medi Health kishte kërkuar dëshmi ishin dizajni modular, shpëlarja automatike e dializatorit para trajtimit, sistemi volumetrik i ultrafiltrimit, alarmet e kërkuara dhe ruajtja e historikut të trajtimeve.

Eksperti shqyrtues i OSHP-së kishte rekomanduar që ankesa të aprovohej si e bazuar, njoftimi për dhënie të kontratës të anulohej dhe lënda të kthehej në rivlerësim.

Megjithatë, paneli shqyrtues nuk e ndoqi plotësisht rekomandimin e ekspertit. OSHP e aprovoi ankesën vetëm pjesërisht dhe vendosi ta lërë në fuqi vendimin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit për dhënien e kontratës KO MED-it.

Në arsyetimin e vendimit, OSHP-ja theksoi se KO MED kishte ofertuar me 234,199 euro, ndërsa oferta e Medi Health-it ishte 246,899 euro.

Paneli vlerësoi se kompania fituese i kishte plotësuar kriteret e dosjes së tenderit dhe se nuk kishte bazë për anulimin e vendimit të autoritetit kontraktues apo kthimin e lëndës në rivlerësim.

Spitali i Gjilanit: KO MED i përmbushi kriteret

Në përgjigjen për Gazetën Insajderi, Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka deklaruar se KO MED L.L.C. është shpallur fituese pasi i ka përmbushur kërkesat dhe kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit.

Sipas Spitalit, vlerësimi është realizuar në përputhje me kërkesat e dosjes së tenderit dhe kriteret e zbatueshme të prokurimit.

Sa i përket kërkesës për rishqyrtim të paraqitur nga Medi Health, Spitali ka bërë të ditur se pretendimet e këtij operatori janë shqyrtuar në përputhje me procedurat ligjore.

Institucioni ka deklaruar gjithashtu se çështja është trajtuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili, sipas përgjigjes së Spitalit, e ka lënë në fuqi vendimin e autoritetit kontraktues.

Për përputhshmërinë teknike të pajisjeve të ofruara nga KO MED, Spitali ka sqaruar se vlerësimi është bërë mbi bazën e dokumentacionit të dorëzuar dhe specifikimeve teknike të përcaktuara paraprakisht në dosjen e tenderit.

Në vendimin për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim të Medi Health-it, autoriteti kontraktues kishte konstatuar se oferta e kësaj kompanie nuk i përmbushte kërkesat e detyrueshme të dosjes së tenderit dhe specifikimet teknike.

Një nga arsyet e përmendura ishte mungesa e specifikimeve teknike për mallrat e ofruara. Sipas Spitalit, dorëzimi i katalogut nuk ishte i mjaftueshëm për të dëshmuar përputhshmërinë e pajisjeve me kërkesat e tenderit.

Një tjetër kundërshtim lidhej me serviserin e certifikuar nga prodhuesi. Spitali kishte vlerësuar se dokumentacioni i Medi Health-it nuk dëshmonte se serviseri i kishte certifikimet për pajisjet konkrete të kërkuara.

Në vendim përmendet një certifikatë e prodhuesit Human për Riste Soskoski, e cila lidhej me trajnime të zhvilluara nga 23 deri më 27 prill 2007 në Wiesbaden të Gjermanisë. Sipas autoritetit kontraktues, kjo certifikatë nuk dëshmonte përmbushjen e kërkesës për pajisjen për të cilën ishte kërkuar certifikimi.

KO MED: Pajisjet e hemodializës janë të certifikuara

Në përgjigjen për Insajderin, KO MED ka deklaruar se në tenderin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit ka ofertuar me pajisjen DIANOVA X1, nga prodhuesi zviceran Dialife.

Sipas kompanisë, prodhuesi është i certifikuar sipas Rregullores për Pajisjet Mjekësore (MDR), ndërsa certifikimi dëshmon përmbushjen e kërkesave përkatëse rregullatore për sigurinë dhe performancën e pajisjeve.

KO MED ka thënë se cilësia dhe funksionaliteti i pajisjes janë dëshmuar edhe në Poliklinikën e Podujevës, ku, sipas kompanisë, janë të instaluara 16 pajisje që funksionojnë prej afro dy vjetësh.

Kompania ka shtuar se ka ofertuar me çmim më të ulët se konkurrenti tjetër.

Sa i përket përputhshmërisë teknike, KO MED ka deklaruar se pajisjet e ofruara i përmbushin të gjitha specifikimet e kërkuara në dosjen e tenderit dhe se kjo dëshmohet përmes katalogut dhe manualit teknik.

Sipas kompanisë, këtë e kanë konstatuar edhe komisioni i vlerësimit i autoritetit kontraktues dhe OSHP-ja.

SHSKUK ia ndërpreu kontratën KO MED-it pas problemeve të raportuara nga mjekët

Ndërsa në Gjilan KO MED është shpallur fituese e tenderit për aparatura të hemodializës, kompania së fundmi është përballur me ndërprerjen e një kontrate tjetër nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

SHSKUK-ja e ndërpreu me marrëveshje kontratën me KO MED-in për furnizimin e Klinikës së Kardiologjisë Invazive me tuba hyrës për kateterizim përmes dorës, pasi mjekët kishin raportuar probleme të vazhdueshme me produktin.

Kontrata ishte nënshkruar më 9 mars 2026 dhe parashihte furnizimin me 5,000 copë tuba për qasje radiale, me çmim prej 9.50 eurosh për copë.

Me porosinë e fundit të 24 gushtit 2026 ishte shfrytëzuar rreth 80 për qind e vlerës së kontratës, ndonëse ajo ishte lidhur për një periudhë 24-mujore.

Mjekët e Klinikës së Kardiologjisë Invazive kishin raportuar se gjilpëra nuk e tregonte siç duhej hyrjen në arterie, tubi nuk depërtonte mirë dhe pajisja shkaktonte ngërç të arteries.

Në disa raste, ndërhyrjet që nuk mund të vazhdoheshin përmes dorës duhej të kryheshin përmes arteries femorale në kofshë. Sipas mjekëve, këto probleme i zgjasnin ndërhyrjet dhe rrisnin rrezikun e komplikimeve për pacientët.

Pas raportimit të problemeve, kontrata u ndërpre me marrëveshje të të dyja palëve më 20 tetor 2026.

KO MED: Kemi kërkuar analizë të problemit

Lidhur me kontratën e ndërprerë nga SHSKUK-ja, KO MED ka dhënë një version tjetër për rrethanat që çuan në përfundimin e saj.

Kompania ka deklaruar se, para hapjes së tenderit për furnizimin e Klinikës së Kardiologjisë Invazive, ishte kërkuar dorëzimi i mostrës së produktit dhe se ajo e kishte dorëzuar mostrën së bashku me ofertën.

Sipas KO MED-it, komisioni i vlerësimit i klinikës e kishte testuar produktin dhe kishte vlerësuar se ai i përmbushte kriteret dhe specifikimet e kërkuara për përdorim.

Kompania ka theksuar se kontrata ishte realizuar në masën prej 80 për qind kur klinika e kishte njoftuar se nuk dëshironte të vazhdonte furnizimin me këtë produkt.

KO MED ka deklaruar se prodhuesi i pajisjeve posedon certifikatë CE sipas Direktivës 93/42, të lëshuar nga TÜV, dhe se pas kontaktimit për shqetësimet e raportuara nga klinika, prodhuesi kishte shprehur habinë e tij.

Sipas kompanisë, prodhuesi kishte deklaruar se nuk kishte pasur raste të ngjashme në vendet evropiane ku ishin furnizuar këto produkte.

KO MED ka thënë se prodhuesi kishte kërkuar një video gjatë aplikimit të produktit, me qëllim identifikimin e shkakut të problemit të raportuar, por, sipas kompanisë, stafi i klinikës nuk e kishte dërguar videon.

“Për këtë arsye, vlerësojmë se do të ishte e nevojshme një analizë më e detajuar teknike për të përcaktuar shkakun e problemit të raportuar, për shkak se prodhuesi ka dyshime se qëndron problemi tek aplikimi i produktit”, ka deklaruar kompania.

KO MED ka shtuar se gjatë veprimtarisë së saj nuk ka pranuar ankesa të ngjashme për cilësinë e materialeve shpenzuese dhe pajisjeve mjekësore që furnizon.

Kompania, e cila thotë se operon prej 16 vitesh në këtë fushë, ka deklaruar se furnizimet i realizon nga prodhues që posedojnë certifikatat përkatëse të konformitetit dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Kompania thotë se klinika kishte kërkuar edhe 1,500 copë shtesë

Në përgjigjen e saj, KO MED ka deklaruar se pas shprehjes së shqetësimeve nga klinika ishte kontaktuar sërish për furnizimin me një sasi shtesë prej 1,500 copësh të produktit “Introducer Sheath”.

KO MED ka thënë se, duke parë qëndrimin e klinikës për ndërprerjen e kontratës, kishte zgjedhur që ndërprerja me autoritetin kontraktues të bëhej në mënyrë miqësore dhe me mirëkuptim të ndërsjellë.

Kompania ka pretenduar se shqetësimet e raportuara nuk ishin konfirmuar me prova të mjaftueshme teknike dhe se mungesa e videos së kërkuar nuk kishte mundësuar identifikimin e shkakut të problemit.

Megjithatë, në dokumentet n e ndërprerjes së kontratës, mjekët e Klinikës së Kardiologjisë Invazive kishin përshkruar vështirësitë me gjilpërën, depërtimin e tubit në arterie dhe ngërçet e shkaktuara gjatë ndërhyrjeve.

Sipas tyre, këto probleme ndikonin në kohëzgjatjen dhe ndërlikimin e procedurave mjekësore.

Kontrata me SHSKUK-në, ndërkaq, u ndërpre me marrëveshje të të dyja palëve më 20 tetor 2026./insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark