Insajderi
Lajme

Çitaku: Çlirimtarët nuk do t’i lëmë vetëm, shteti duhet t’i mbështesë në betejën e apelit në Hagë

Insajderi
28 October 2026 - 20:27
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Çitaku: Çlirimtarët nuk do t’i lëmë vetëm, shteti duhet t’i mbështesë në betejën e apelit në Hagë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

U mbajt mbledhja e parë e Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë. Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se qëllimi është që çlirimtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kenë mbështetjen e plotë të shtetit në këtë proces.

Çitaku, e cila është edhe anëtare e këtij grupi, ka theksuar se pjesëmarrja e përfaqësuesve të partive parlamentare shqiptare dëshmon një vetëdije të përbashkët politike, qytetare, shtetërore dhe kombëtare për rëndësinë e kësaj çështjeje.

Sipas saj, në frymën e Deklaratës së Kuvendit të 28 shtatorit, gjatë mbledhjes janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është përcaktuar plani i përgjithshëm i punës.

“Qëllimi ynë është që çlirimtarët tanë ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka bërë të ditur se, krahas hartimit të strategjisë, po vazhdon edhe angazhimi për ligjin që synon të forcojë mbrojtjen e të drejtave të çlirimtarëve të UÇK-së.

Duke theksuar se “UÇK-ja na bashkon”, Çitaku ka vlerësuar se mbrojtja e së vërtetës së luftës çlirimtare, e vlerave dhe e trashëgimisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një përgjegjësi që tejkalon dallimet partiake.

Ajo ka nënvizuar nevojën për angazhim të përbashkët për ta kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë, të cilin e ka cilësuar të padrejtë, si dhe për t’u siguruar çlirimtarëve të gjitha mjetet dhe garancitë juridike të nevojshme në procesin e apelit.

Në përfundim, Çitaku ka përsëritur qëndrimin e saj se mbështetja ndaj çlirimtarëve do të vazhdojë pa ndërprerje.

“Në asnjë ditë dhe në asnjë moment, çlirimtarët nuk do t’i lëmë vetëm!”, ka përfunduar Çitaku.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark