Në kohën kur Kosova po tronditej nga vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, avokati Eset Berisha bëri publik një rast tjetër të dhunës në familje, për të cilin thotë se i ka përfaqësuar viktimat dhe i ka paralajmëruar institucionet për rrezikun me të cilin përballen ato.
Bëhet fjalë për dy gra, njëra 79-vjeçare (ish-gruaja) dhe tjetra rreth 50-vjeçare, të cilat (vajza), sipas Berishës, për vite me radhë janë përballur me dhunë psikologjike dhe fizike nga ish-bashkëshorti. Ai thotë se, pavarësisht raportimeve në Polici dhe vendimeve dënuese për dhunë në familje, shqetësimet ndaj tyre kanë vazhduar.
Në reagimin e tij, Berisha thotë se burri 81-vjeçar, nga i cili viktima e moshuar tashmë është divorcuar, vazhdon të shkojë kohë pas kohe në shtëpinë ku jetojnë gratë, edhe në mes të natës e në disa raste në gjendje të dehur.
Sipas avokatit, Policia shkon në vendin e ngjarjes, por reagimi i saj shpesh përfundon me vërejtje ndaj të dyshuarit.
“Skemi çka me i bo, është plak”, është arsyetimi që, sipas Berishës, u është dhënë viktimave nga zyrtarët policorë.
Avokati e kundërshton këtë qasje, duke thënë se mosha e personit të dyshuar nuk mund të përdoret si arsye për të mos i mbrojtur viktimat, sidomos kur, sipas tij, ato janë kërcënuar edhe me jetë.
Berisha thotë se rasti është trajtuar nga Gjykata Themelore në Pejë që nga viti 2022.
“Ky rast është në vazhdimësi që nga viti 2022 tani trajtohet me numer te ri Cnr. 4295/23) kur ishte vazhduar deri në vitin 2025, por pyetja është se sa efikas ishte”, thuhet në reagim.
Sipas tij, në fazën e parë ishte caktuar një urdhër mbrojtës që parashihte ndalim të afrimit deri në pesë metra, edhe pse palët jetonin në të njëjtën shtëpi.
Kur ishte kërkuar vazhdimi i urdhrit dhe largimi i personit përgjegjës nga shtëpia, avokati pretendon se gjykata e kishte refuzuar kërkesën për një distancë mbrojtëse prej 50 metrash.
Ai thotë se rasti lidhet me një konflikt pronësor brenda familjes. Sipas përshkrimit të tij, shtëpia ku jetonin familjarët ishte bartur në emër të djalit të vogël pa pëlqimin e bashkëshortes, ndërsa prona tjetër ishte regjistruar po ashtu në emër të tij.
Berisha pretendon se kundërshtimi i këtij veprimi nga gruaja e moshuar dhe vajza e saj ishte pasuar me dhunë psikologjike dhe, në disa raste, fizike, me qëllim që ato të largoheshin nga shtëpia.
Sipas avokatit, të paktën katër raste të dhunës në familje ishin raportuar te organet e hetuesisë dhe dy prej tyre kishin përfunduar me vendime dënuese, por pa dënime me burgim.
Ai shton se në vitin 2024, gruaja 79-vjeçare dhe vajza e saj ishin ndaluar për 48 orë nga Policia e Pejës, pasi ishin raportuar për dhunë psikologjike nga familjarët e përfshirë në konflikt.
Berisha thotë se si përfaqësues i viktimave u ishte drejtuar kryeprokurorit të Pejës, kryetarit të gjykatës dhe gjyqtarit të çështjes, duke kërkuar ndërhyrje për mbrojtjen e tyre.
Sipas tij, pas përfundimit të seancës për urdhrin mbrojtës, vendimi nuk ishte lëshuar me kohë, ndërsa urdhri paraprak kishte skaduar. Ai pretendon se gjatë kësaj periudhe viktimat kishin mbetur pa urdhër mbrojtës.
Avokati thotë se në vendimin pasues nuk ishte caktuar distancë fizike mbrojtëse dhe ishte refuzuar kërkesa për largimin e personit përgjegjës nga shtëpia, ndonëse, sipas tij, ndaj tij kishte dy vendime dënuese për dhunë në familje dhe së paku dy raste të tjera në proces.
Duke e bërë publik rastin në ditët pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Berisha tha se ai nuk duhet të shihet si rast i izoluar dhe paralajmëroi për rrezikun që, sipas tij, u kanoset dy grave.
“E kush është përgjegjës, nëse u ndodh ndonjë tragjedi këtyre viktimave? Për këtë i kam paralajmëruar me kohë gjykatën dhe prokurorinë”, shkroi ai.
Në fund të reagimit, avokati përmendi edhe pretendimet e viktimave dhe familjarëve të tyre se pas personit të dyshuar qëndron dikush me ndikim, i cili mund ta ndihmojë në gjykatë dhe prokurori. Berisha tha se nuk ishte marrë me këto pretendime, pasi beson se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. /Insajderi.org/