Irfan Hysenbelliu po synon t’i marrë shtetit shqiptar një dëmshpërblim prej rreth 600 milionë eurosh.
Përmes një hulumtimi të gjatë, CNA ka siguruar një dosje të plotë investiguese mbi veprimtarinë e kompanive të Hysenbelliut. Dokumentet dhe dëshmitë e mbledhura hedhin dritë mbi mënyrën se si ai dyshohet se ka përdorur pushtetin mediatik për presion ndaj zyrtarëve publikë, me synim shmangien e detyrimeve tatimore, ndërtimet pa leje dhe shfrytëzimin e pronave publike me çmime minimale. Pjesë e këtij investigimi janë edhe lidhjet e mundshme të familjarëve të tij me aferën e njohur “CEZ-DIA”.
Në ditët në vijim, CNA ka paralajmëruar se do të publikojë dëshmi ekskluzive të ish-bashkëpunëtorëve të Hysenbelliut, nga drejtues e auditues të kompanive të tij, deri te këshilltarë e personazhe kyç. Ata rrëfejnë prapaskenat e menaxhimit të perandorisë së tij financiare, përfshirë pretendimet për nxitje ndaj korrupsionit me zarfe dhe skemat e përdorura gjatë viteve.
Në një dosje të zgjeruar hulumtuese, CNA.al deklaron se do të publikojë detaje rreth përfshirjes së studios ligjore “William Hale”, e cila ka ofruar bashkëpunim edhe për gjetjen e investitorëve për këtë çështje, ku kostoja e vetë procesit parashikohet të arrijë deri në 7 milionë euro.
Të dhënat e siguruara nga mediumi të cilat do të shoqërohen edhe me pamje me video zbulojnë se po zhvillohen negociata me firmën ligjore “Blank Rome” në SHBA, si dhe ekziston një bashkëpunim me kompaninë “Omni” në Britaninë e Madhe.
Materiali ekskluziv, thuhet se, vendos paralele me të ashtuquajturën skemë “Becchetti”, duke e cilësuar atë sa strategjike, aq edhe manipuluese. Ndër të tjera, në këtë investigim përmendet edhe roli i kompanisë “FTI”.
Sipas dëshmive të përfshira në dosje, CNA do të zbardhë një raport të dyshuar si të manipuluar në favor të Hysenbelliut. Në këtë dokument pretendohet se janë fryrë shumat deri në 500 milionë euro, me qëllim që përmes trysnisë të arrihet një marrëveshje përfundimtare prej 150 deri në 200 milionë eurosh.
CNA do të zbërthejë edhe skemën e manipulimit që shkon deri te sjellja e arbitrave në Tiranë, do të zbërthejë emra avokatësh, studiosh ligjore, do të sjellim intervista me zyrtarë dhe bashkëpunëtorë të Irfan Hysenbelliut që do të tregojnë se si ka funksionuar rrjeta e një merimange që Irfan Hysenbelliu me skemat dhe skenarët e tij t’i kërkojë shtetit shqiptar 600 milionë euro, për t’u marrë më pas shqiptarëve një shumë rreth 200 milionë euro, vlera që Irfani do të pranonte.
Paralajmërohet publikimi i një fotoje deri në publikimin e disa videove në lidhje me çështjen e Hysenbelliut që nuk paguan taksat dhe nëpërmjet mediave të tij, shkon deri te lidhjet e prokurorëve për të mbyllur çështjet që ka me shtetin shqiptar.