Insajderi
Lajme

Hoti akuzon Qeverinë për shkelje të ligjit: Buxheti për vitin 2027 nuk u miratua brenda afatit

Insajderi
01 November 2026 - 13:27
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Hoti akuzon Qeverinë për shkelje të ligjit: Buxheti për vitin 2027 nuk u miratua brenda afatit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për shkelje të ligjit, pasi nuk e ka miratuar brenda afatit projektbuxhetin për vitin 2027.

Përmes një reagimi në Facebook, Hoti ka theksuar se afati ligjor për dorëzimin e projektbuxhetit në Kuvend ka përfunduar më 31 tetor, ndërsa dokumenti ende nuk është miratuar nga ekzekutivi.

Sipas tij, neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që projektbuxhetin për vitin e ardhshëm t’ia dorëzojë Kuvendit jo më vonë se kjo datë.

“Sot është 1 nëntor. Projektbuxheti në Qeveri nuk është miratuar ende. Me këtë, Qeveria po shkel afatin e përcaktuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike”, ka shkruar Hoti.

Deputeti opozitar ka ngritur pikëpyetje edhe për procedurat që do të ndiqen në Kuvend pas tejkalimit të afatit ligjor.

“Është e paqartë se si Kuvendi do të shqyrtojë në procedura kuvendore një projektbuxhet që i dorëzohet Kuvendit pas afatit ligjor”, ka deklaruar ai.

Hoti ka përmendur se një situatë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, madje as në periudhat kur vendi ka qenë në procese zgjedhore.

“Kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Edhe në kohë zgjedhjesh, me Qeveri në detyrë, projektbuxheti është miratuar dhe dorëzuar në Kuvend në përputhje me afatet dhe kërkesat ligjore”, ka theksuar ai.


Miratimi i Projektbuxhetit, Hoti numëron shkeljet ligjore të pushtetit: Edhe kryeparlamentari është bërë pjesë e shkeljeve
Por kritikat e Hotit nuk janë kufizuar vetëm te buxheti.

Ai e ka ndërlidhur këtë zhvillim me atë që e ka cilësuar si praktikë të shkeljeve ligjore dhe kushtetuese gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të saj.

“Fatkeqësisht, shkeljet ligjore e kushtetuese janë bërë praktikë në këto vite të qeverisjes së VV-së dhe partnerëve të saj”, ka shkruar Hoti.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark