
Kryeministri Isa Mustafa ka udhëtuar drejt Budapestit atje ku të martën pritet që UEFA ta jap lajmin e mirë për sportin kosovar duke e pranuar Kosovën si shtet me të drejta të plota, por nëpërmjet televizionit publik, ka thënë se kosovarët do të marrin së shpejti edhe një lajm tjetër të mirë.
Bëhet fjalë për vendimin e Komisionit Evropian që sipas medieve ndërkombëtare të mërkurën do të bëjë publike vendimin për liberalizim të vizave për Kosovën, Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Turqinë.
Për dallim prej presidentit Hashim Thaçi që gjatë së hënës ka thënë se liberalizimi i vizave është “çështje orësh”, kryeministri Isa Mustafa nuk ka komentuar kohën se kur Komisioni Evropian do të caktoj jap lajmin e mirë për kosovarët por se ka thënë se liberalizimi i vizave do të ndodhë sigurt.
Isa Mustafa nuk ka dashur të flas rreth asaj se të mërkurën do të vendoset ose jo për liberalizimin e vizave për Kosovës, duke thënë se ai nuk dëshiron të marrë përsipër se kur do të vendos Komisioni Evropian.
Mustafa nga Budapesti i ka thënë televizionit publik, se presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ia ka konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.
“Së shpejti Komisioni Evropian do të marrë vendim, tani unë nuk kisha dashur të marrë përsipër se kur do të vendos Komisioni Evropian, por besoj që kjo do të ndodhë së shpejti”, ka thënë Mustafa.