Komisioni Evropian propozon liberalizimin e vizave për Kosovën - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Komisioni Evropian propozon liberalizimin e vizave për Kosovën

    Insajderi
    04 May 2016 - 13:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ashtu siç u paralajmërua ditëve të fundit, Komisioni Evropian ka propozuar heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duke vlerësuar se Kosova ka arritur me sukses kryerjen e reformave në fushën e drejtësisë.  Propozimi për heqjen e vizave do t’i procedohet për vendim final Parlamentit Evropian dhe Këshillit.

    “Sot ne po vazhdojmë me përkushtimin tonë për propozim të udhëtimit pa viza në BE për qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike – duke lehtësuar kontaktet mes njerëzve dhe duke forcuar lidhjet biznesore, sociale e kulturore ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, ka thënë Dimitris Avramopoulos, komisioneri për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi.

    “E di se heqja e vizave është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe jam shumë i kënaqur me progresion e arritur.  Unë shpresoj që Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian të aprovojnë propozim tonë së shpejti”, ka thënë ai.

    I pari që ka konfirmuar lajmin nga zyrtarët vendas ka qenë Ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku.

    “Më në fund, ia arritëm të përmbushim edhe një qëllim tjetër për Kosovën. Ju uroj nga zemra të gjithëve për propozimin e sotëm të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës,” ka shkruar ai në Facebook.

    Pas tij ka reaguar edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa.

    Thaçi ka thënë se pas dekadash izolim, qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë të presin para ambasadave, ndërsa Mustafa ka thënë se Kosova ka merituar këtë vendim.

    Në raportin e sotëm të progresit, Komisioni konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit të saj për liberalizim të vizave, që nënkupton se deri në miratimin e këtij propozimi nga ana e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, Kosova do ta ketë të ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe ta ketë të forcuar regjistrin e të dhënave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Komisioni Evropian.

    Liberalizimi i vizave do të thotë lëvizje e lirë në zonën Shengen. Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të udhëtojnë në shtete të Evropës deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj). Por, liberalizimi i vizave nuk mundëson edhe të drejt pune në këto vende të Evropës.

    Heqja e vizave për kosovarët ishte premtuar se do të ndodhte qysh kohë më parë.

    Hashim Thaçi, ish-kryeministër i vendit dhe ish-kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në nëntor të vitit 2010, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për t’u bërë kryeministër për herë të dytë, thoshte se liberalizimi i vizave do të bëhej brenda 15 muajve kur ai ta ketë marrë mandatin.

    Kjo i binte të ndodhte në maj të vitit 2012.

    Por, në vitin 2012, Kosova mori vetëm udhërrëfyesin për heqjen e vizave.

    Kosova është vendi i fundit në rajon që fiton këtë të drejtë./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    03 October 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark