
Tre vjet më parë, Albert dhe Yassin u larguan nga shtëpitë e tyre në Kosovë dhe Shqipëri, për t’u bërë xhihadistë në Siri. Mirëpo, tani ata janë kthyer prapa duke i shtuar radhët e xhihadistëve në rajonin që ISIS e konsideron “fronti i ri” i Europës
Yassin, 30 vjeç, i cili tani punon si kasap në një periferi të vuajtur të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë, refuzoi të jap emrin e tij të vërtetë nga frika e pasojave.
I plagosur në qytetin e Sirisë veriore, Aleppo, në vitin 2014, babai i tre fëmijëve, tha për AFP’në se ai u largua “për të ndihmuar popullin sirian” dhe tani shpreson që Allahu do ta njohë sakrificën e tij, edhe pse ai nuk vdiq si një dëshmor.
Albert Berisha, një 29 vjeçar i diplomuar në shkenca politike, thotë se ai mori një “vendim emocional” për të shkuar në Lindjen e Mesme, duke parë kështu në televizione dhe media sociale se çfarë po ndodhte në Siri,
Berisha nuk i ka shpëtuar vëmendjes së autoriteteve, megjithatë, muajin e kaluar, ai u dënua me tre vjet e gjysmë burg.
Autoritetet thonë se rreth 300 kosovarë dhe deri në 120 shqiptarë kanë lënë vendet e tyre për t’u bërë xhihadist në Siri – duke i vendosur ata në pozita të prekura nga fryma e xhihadistëve, transmeton Gazeta Express.
Rreth 30 luftëtarë janë kthyer në Shqipëri dhe 120 janë kthyer në Kosovë, sipas vlerësimeve të qeverive.
Analisti i çështjeve fetare shqiptare, Emir Gjinishi ka paralajmëruar se “nëse ata nuk integrohen në shoqëri dhe në qoftë se ne i margjinalizojmë, ish-luftëtarët që kthehen në vend mund të provokohen për veprime ekstremiste”, shkruan Express.
Një video propaganduese e Shtetit Islamik, e publikuar vitin e kaluar me titull “Nderi është Xhihadi”.
Një luftëtar kosovar në këtë video ka paralajmëruar qeveritë e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë me fjalët “Ditë të zeza po vijnë për ju”, “Ju do të jeni të terrorizuar”.
– “Shpëlarja e trurit nga Interneti” –
Myslimanët në Kosovë dhe Shqipëri kanë qenë historikisht liberalë, por në rrugët e Prishtinës, gratë me mbulesë dhe burrat me mjekra dhe pantallona të shkurtër janë të shumtë.
Ilir Kulla, ish kreu i “Komitetit Shtetëror i Kulturës” në Shqipëri, ka thënë se rekrutuesit xhihadistë janë krijuar për shkak të “situatës ekonomike, nivelit të ulët të arsimit dhe shpëlarjes së trurit nga Interneti”, transmeton Gazeta Express.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, paga mujore mesatare në Kosovë është 330 dollarë (290 euro), kurse pak më e lartë rezulton në Shqipëri, me 370 dollarë në muaj.
Mirëpo, paratë nuk janë forca kryesore që kanë shtyrë këta persona drejtë Sirisë. Një oficer i policisë në Shqipëri ka thënë se një luftëtar i ISIS fiton më shumë se dyfishi, ndërsa një komandant i ISIS fiton rreth 2 mijë dollarë.
Visar Duriqi, ekspert i fesë ka thënë: “Kosova është shkatërruar ekonomikisht në luftë dhe rimëkëmbja e saj ekonomike është ende proces i ngadalshëm, e cila është duke krijuar shumë probleme sociale”.
Autoritetet në rajon janë duke luftuar mbrapa kësaj dhe duke pretenduar se po kanë sukses, transmeton Gazeta Express.
“Asnjë kosovar nuk iu është bashkuar grupit terrorist këta muajt e fundit”, ka thënë presidenti Hashim Thaçi për AFP, edhe pse ai e pranoi se kishte pranuar kërcënime me vdekje nga vet Shteti Islamik.
Zëvendësministrja e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë ka thënë se “asnjë shqiptar nuk është larguar nga vendi për në Siri që nga viti 2014”.
Në të dyja vendet, autoritetet kanë duartrokitur kthimin e xhihadistëve nga rekrutimi i tyre, mirëpo, numri i arrestimeve dhe gjykimeve është i madh.
Të martën, Shqipëria ka burgosur nëntë persona me 18 vjet për financimin dhe rekrutimin e luftëtarëve – ky ishte gjykimi i parë i këtij lloji.
Përderisa aktgjykimi u dha, të akuzuarit bërtitën “Allahu Ekber. Tradhtarë. Do të vijë koha e juaj. Ju do të dënoheni.”.
– ‘Demagogët, sharlatanët, manipuluesit “-
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka futur edukimin fetar në shkolla për të luftuar kështu kundër injorancës dhe atë që ai e quajti “demagogëve, sharlatanëve dhe manipuluesve”.
Njëri prej personave që Rama iu drejtuar është Almir Daci, një Imam i cili ka zhvilluar një rrjet për dërgimin e 70 personave – duke përfshirë gra dhe fëmijë – për në Siri.
34 vjeçari ka ndihmuar për t’i transferuar në fshatrat Leshnice, Ramenj dhe Zagorcan – fshatra në afërsi me Maqedoninë, aty ku kisha dhe xhamia gjenden krah për krah – vatra e rekrutimit të xhihadistëve, transmeton Gazeta Express.
Daci, i njohur me emrin arab Abu Bakr al-Albani, punoi si Imam në një fshat fqinj të Pogradecit dhe ishte një nga rekrutuesit kryesorë të grupit të Shtetit Islamik në Shqipëri.
Të afërmit e tij kanë marrë lajmë nga Siria se ai kishte vdekur muajin e kaluar, por, siç ndodhë shpesh, nuk kishin asnjë mënyrë për ta konfirmuar këtë.
Hurma Alinji, 59 vjeçare, një fqinje e Dacit, akuzon Dacin për vdekjen e djalit të saj, i cili vdiq në Siri në vitin 2014 në moshën 28 vjeçare.
“Unë fajësoj Dacin. Ai është i vetmi përgjegjës. Ai e shtyu djalin tim Ervisin për t’u larguar”, ka thënë ajo.
Ervisi ka punuar në Greqi, por familja e tij kishin vërejtur ndryshime radikale në sjelljen e tij, pasi ai filloi ta vizitojë shpesh xhaminë e Dacit.
Para këtij ndryshimi, ai me gëzim e shikonte babanë e tij duke pirë raki, mirëpo më pastaj ai papritmas “nuk pranoi të hajë mish”. Më vonë, filloi edhe “t’i shkurtojë pantallonat e tij”.
Në një mbrëmje, në shkurt të vitit 2013, ai tha se “vëllezërit e tij kanë nevojë për ndihmë”.
Ai mbeti i vdekur në Siri, ashtu si rreth 70 shqiptarë dhe kosovarë të tjerë.