
Në vizitën e saj të parë në Kosovë pas rekomandimit për liberalizimin e vizave, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, ka thënë se është e lumtur të ndaj gëzimin së bashku me Kosovën për këtë arritje.
Mogherini ka thënë se “Kosova është Evropë” dhe se “jemi duke punuar për integrimin e Kosovës në BE dhe institucione evropiane.”
“Po i thoja kryeministrit se kjo është një javë shumë e rëndësishme për Kosovën”, ka thënë Mogherini duke iu referuar edhe vendimit të UEFA-s për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në këtë institucion.
Ajo ka kërkuar që të vazhdohet dialogu me Serbinë dhe të bëhet më shumë në zbatimin e marrëveshjeve, “të cilat janë shumë të rëndësishme jo vetëm për BE-në por edhe për rajonin dhe Kosovën.”
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se është i nderuar të presë përfaqësuesit e lartë të BE-së në kremten e Kosovës pas vendimit për liberalizimin e vizave. Ai tregoi se me zyrtarët e BE-së kanë biseduar për propozimin për liberalizimin e vizave, dhe për procese të tjera integruese evropiane të Kosovës. Ai tha se temë e takimit ka qenë edhe përkushtimi i Kosovës për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
“Vendimi i Komisionit Evropian është një arritur e madhe e bazuar në përmbushjen e kritereve nga na e Kosovës dhe gatishmërisë së BE-së për ta vlerësuar këtë përmbushje ashtu siç është zotuar edhe më parë”, ka thënë Mustafa.
“Ky vendim e nxjerrë Kosovën nga izolimi, i hapë perspektivë të fuqishme politike dhe ekonomike, dhe së bashku me MSA-në krijon ambient shumë më pozitiv për progres në alternativën tonë të vetme, që është alternativa Evropiane”, ka shtuar kryeministër.
Edhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Çështje të Brendshme dhe të Migracionit, Dimitris Avramopoulos, i cili po ashtu mori pjesë në konferencë, tha se Kosova është pjesë e familjes Evropiane.
Sipas tij, vendimet për liberalizim vizash dhe anëtarësimi në UEFA janë dy ngjarje që krijojnë unitet kombëtar.
Ai ka kërkuar që të ratifikohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha parakushtet për liberalizimin e vizave, por tani Kosova duhet të ratifikoj kufirin me Malin e Zi dhe të vazhdoj luftimin e krimit të organizuar,”ka thënë ai.
Ashtu siç u paralajmërua ditëve të fundit, Komisioni Evropian të mërkurën propozoi heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duke vlerësuar se Kosova ka arritur me sukses kryerjen e reformave në fushën e drejtësisë. Propozimi për heqjen e vizave do t’i procedohet për vendim final Parlamentit Evropian dhe Këshillit.
Komisioni konfirmoi dje se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit të saj për liberalizim të vizave, që nënkupton se deri në miratimin e këtij propozimi nga ana e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, Kosova do ta ketë të ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe ta ketë të forcuar regjistrin e të dhënave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Komisioni Evropian.
Liberalizimi i vizave do të thotë lëvizje e lirë në zonën Shengen. Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të udhëtojnë në shtete të Evropës deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj). Por, liberalizimi i vizave nuk mundëson edhe të drejt pune në këto vende të Evropës./Insajderi.com