Kryeministri Isa Mustafa nuk ka mundur të japë një përgjigje nëse Forca e Sigurisë së Kosovës do të mund të transformohet në ushtri gjatë këtij viti.
Mustafa ka thënë se deri më tani janë bërë të gjitha përgatitjet, porse mungon edhe përkrahja e pakicave për këtë proces.
“Është përgatit ndryshimi i kushtetutës, është përgatiti ligji për Forcat e Armatosua, e vetmja gjë që nuk është përfunduar është ti bindim pakicat që ti kemi votat e dy të tretave në kuvend”, ka thënë ai.
“Deri më tani nuk kemi arrit të kemi këtë miratim të tyre. Do të punojmë tutje edhe me faktorin ndërkombëtar që të na ndihmojnë në këtë proces”, ka thënë Mustafa në një intervistë për RTV21.
I pyetur nëse transformimi i FSK-së do të ndodhë gjatë këtij viti, Mustafa nuk ka dhënë ndonjë garanci se një gjë e tillë mund të ndodhë.
“Unë do të bëjë përpjekje maksimale që ta bëjmë gjatë këtij viti, por duhet punojmë shumë dhe të bindim partnerët tanë. Shpresoj që nuk do të kenë arsye dhe nuk kanë asnjë arsye që ta mos e votojnë”, ka thënë ai.
Transformimi i FSK-së është premtuar se do të ndodhë që nga viti 2013./Insajderi.com