
Kryeministri i Kosovës ka shfrytëzuar Ditën e Evropës për të ritheksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian.
“Kosova, ka vlerat e saj për t’ia bashkuar këtij bashkimi shtetesh e kombesh të lira. Për t’i rivendosur vlerat e shteteve dhe kombit tonë aty ku e kanë vendin, ne duhet të dëshmojmë se kemi vullnet e fuqi për ta vendosur ligjin mbi të gjithë”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, aspiratat e Kosovës drejt BE-së janë rritur pas nënshkrimit të MSA-së dhe marrjes së rekomandimit për liberalizimin e vizave.
“Unë e shpallë sot publikisht betejën e radhës, atë të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Sipas tij, qeveria që ai drejton është e gatshme t’u prijë në këtë rrugëtim. Është rruga e ndërtuar edhe nga paraardhësit tanë. Procesi i integrimit evropian të Kosovës është agjenda më unike, e cila i bashkon të gjitha partitë politike, komunitetet e ndryshme etnike dhe shoqërinë në përgjithësi.
“Qeveria ka një agjendë të qartë zhvillimore, me parametra të matshëm dhe një agjendë evropiane që synon bashkëpunimin me fqinjët, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe zbatimin e reformave rrënjësore që afrojnë vendin me Bashkimin Evropian (BE)”./Insajderi.com