
Tri ditë para mbajtjes së protestës së thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lideri i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk është mirë dhe se për këtë duhet dalë në protestë për të bërë ndryshimin.
“Kosova nuk është mirë. Ne nuk kemi mundur me përparu në veri, nuk po mbërrijmë me zhvillu ekonominë, me hap vende të reja. Ne nuk po mundemi me bë shtet ligjor me të paprekshimti e korruptuar që korrupsionin e kanë kthyer në nivel endemik,” ka thënë Haradinaj në një video të postuar në faqen e tij në Facebook.
Ai ka ripërsëritur se dy marrëveshjet, ajo e demarkacionit me Malin e Zi dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe, janë kthim prapa për Kosovën.
“A duhet të ndryshojë Kosova? Kush mundet të bëjë ndryshimin? Ne të gjithë së bashku pa dallim”, ka thënë Haradinaj.
Protesta e 14 majit është thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pas dështimit të një protestë të thirrur në muajin mars edhe nga dy partitë e tjera opozitare – Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën.
Përfaqësues të AAK-së kanë thënë disa herë se protesta e thirrur për 14 maj do të jetë masive si ato të tjerat, edhe në rast se në të nuk merr pjesë Vetëvendosje./Insajderi.com