Pushteti pret reflektimin e opozitës për demarkacionin – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Pushteti pret reflektimin e opozitës për demarkacionin

    Insajderi
    11 May 2016 - 17:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria e Kosovës nuk e ka proceduar ende Projektligjin për ratifikim të kësaj marrëveshje. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka ftuar sërish opozitën që paraprakisht të ulen dhe të gjejnë një pajtim para se Kuvendi të procedojë ratifikimin e Demarkacionit.

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar mbajtjen e dy seancave plenare më datat 18 dhe 25 maj. Por, në asnjërën prej këtyre seancave nuk do të jetë në rend dite ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje mbetet çështja kryesore për fillimin e zbatimit të liberalizmit të vizave për Kosovën.

    Kryekuvendari, Kadri Veseli është zotuar se Kuvendi nuk do të lejojë që të bëhet pengesë e zbatimit të liberalizimit.

    “Ende nuk e kemi në agjendë një çështje të tillë. Në momentin që do ta kemi do të bashkëbisedojmë edhe me kolegët tanë të opozitës, në mënyrë që të procedojmë bashkërisht në Kuvend. Por, ajo çfarë do të ndodh, në asnjë mënyrë nuk do të vihet në rrezik lëvizja e lirë, liberalizimi i vizave. Vendimmarrja do të jetë adekuate me interesat e vendit”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

    Komisioni Evropian i ka propozuar tashmë Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.

    Por, bashkë me këtë propozim Komisioni Evropian ka përmendur si kriter ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Fisnik Rexhepi, këshilltar i politik i ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë se rekomandimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Kosovën, ka nisur të shqyrtohet në Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, dhe se sipas tij edhe institucionet e Kosovës duhet të ecin tutje me obligimet që kanë në këtë drejtim.

    “Me rëndësi është se të gjithë jemi të vetëdijshëm për pritjet që ka Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare nga ana e Kosovës dhe besojmë që të gjithë do të japin kontributin e tyre ne këtë proces”, ka thënë Rexhepi, njofton Radio e Evropa e Lirë.

    Sipas Rexhepit, në funksion të lëvizjes së lirë të qytetarëve në vendet e Bashkimit Evropian, Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumë ligje dhe, siç thekson ai, Kuvendi në ditët në vazhdim do t’i përfundojë edhe obligimet tjera që i kanë mbetur.

    Njohësit e integrimit evropian, kanë theksuar se pas rekomandimit për heqjen e vizave për Kosovën nga Komisioni Evropian, Kosova po hyn në fazën përfundimtare sa i përket liberalizimit të vizave.

    Ndryshe, dy seancat e radhës kanë në rend dite shumë pika për miratim, ndër të cilat edhe Projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

    Shqyrtimi i këtij projektligji do të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke e shmangur Rregulloren e Kuvendit. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark