Gashi: Nuk jam kundër LDK-së – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gashi: Nuk jam kundër LDK-së

    Insajderi
    12 May 2016 - 08:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se ka një mendim ndryshe nga ky subjekt politik për mënyrën e krijimit të koalicionit PDK-LDK.

    Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Gashi ka thënë se në bazë të deklarimeve të dy liderëve që janë pjesë e koalicionit qeverisës, ky koalicion do ta çojë mandatin deri në fund.

    “Nëse i dëgjojmë kryetarët e dy partive, LDK-së dhe PDK-së, çdo gjë është në rregull dhe duke shkuar në mënyrën e duhur deri në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2018”, ka thënë Gashi.

    Megjithëse ka mendim ndryshe se si është ndërtuar koalicioni PDK – LDK, deputeti Gashi nuk e ka ndërmend ta lë LDK-në për asnjë alternativë të re politike.

    “As që vjen në konsiderim tek unë që t’i bashkëngjitëm ndonjë alternative tjetër qeverisëse. Asnjëherë nuk e kam konsideruar një opsion të tillë. Për mua nuk ka rrethana për ta marrë në konsideratë një vendim të tillë”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se është pjesë e LDK-së, pjesë e një grupi që mendon ndryshe.

    “Unë jam pjesë e LDK-së, mirëpo pjesë e një grupi që mendon ndryshe, por jo kundër LDK-së”, ka theksuar ai.

    Gashi në këtë intervistë ka folur edhe për demarkacionin me Malin e Zi dhe Gjykatën Speciale.

    Ai ka thënë se demarkacioni me Malin e Zi është çështje e ndjeshme, por shpreson në zgjidhjen e kësaj çështje pa shkaktuar tensione të brendshme në vend.

    “Ka zgjidhje të shumta që janë të kënaqshme për të gjitha palët. Kështu që, nuk besoj se demarkacioni është problematik”, ka deklaruar Gashi. Duke folur për Gjykatën Speciale, ai ka thënë se Kosovën e presin zhvillime të rënda dhe interesante në ditët e ardhshme, të cilat mund të prodhojnë edhe realitete politike.

    “Është formimi i Gjykatës Speciale, presioni i Bashkimit Evropian për ta luftuar korrupsionin, nevoja shumë e madhe për zhvillim ekonomik, mundësia e lëvizjes së lirë të qytetarëve, që besoj se do të ndodhin shumë shpejt. Të gjitha këto zhvillime mund të kenë ndikim politik”, ka thënë Gashi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    14 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark