
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, po merr pjesë në asamblenë e përgjithshme të SEPCA-së, e cila po mbahet në kryeqytetin Sofia të Bullgarisë.
Kjo është hera e parë që Policia e Kosovës po merr pjesë në një takim të nivelit të tillë, të organizuar nga SEPCA – Asociacioni i shefave të Policisë për Evropën Juglindore, në të cilën po marrin pjesë shefa të policive të vendeve të ndryshme.
“Pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në këtë asamble ka një rëndësi të veçantë në hapjen e rrugëve të PK-së, drejt fuqizimit të bashkëpunimit me mekanizmat ndërkombëtarë, si dhe shkëmbimit të informacioneve lidhur me sfidat në fushën e sigurisë, migrimit ilegal, terrorizmit dhe krimit të organizuar”, thuhet në një komunikatë për media të policisë.
Drejtori Maxhuni gjatë qëndrimit në këtë asamble pati rastin të takojë edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Bullgarisë ,Hristo Terizyski, i cili është edhe kryesues i SEPCA-s, me qëllim të vazhdimit të bashkëpunimit të ndërsjellë./Insajderi.com