
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, është habitur me reagimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili kishte thënë se deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë kërkuar nga Krasniqi të fusë policinë në sallë në kohën kur po votohej marrëveshja e 19 prillit në vitin 2013.
“I nderuari Rexhep, emrin tuaj nuk e kam përmendur askund publikisht. Unë nuk po mund ta kuptoj pse reagove ti në vend që të reagonte VV-ja?”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
“Tani po të pyes unë, ty, pse nuk po e respekton hierarkinë, lidhur më ketë, pra kryetarin e atëhershëm Albin Kurtit dhe shefin e atëhershëm të grupit , Visar Ymerit, por po reagon ti?”
Të mërkurën, Krasniqi ka treguar disa detaje rreth situatës së tensionuar më 19 prill në Kuvendin e Kosovës, kur ishte votuar marrëveshja e Brukselit.
Sipas tij, një deputet i Vetëvendosjes i kishte telefonuar atij dhe i ka kërkuar që të intervenojë me polici “sepse ata nuk po dinin si të dilnin nga situata që ishin futur”, ka thënë Krasniqi, duke iu referuar kundërshtimit të kësaj marrëveshja nga ana e deputetëve të VV-së në atë seancë./Insajderi.com