Si pjesë e festimeve me rastin e Ditës së Evropës 2016, BE-ja në Kosovë do të prezantojë për herë të parë çmimin Evropiani i Vitit, për të falënderuar një individ/institucion për promovimin e idesë evropiane në Kosovë.
Ky shpërblim do të prezantohet nesër, më 13 maj, nga Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, dhe Bekim Çollaku, Ministër i Integrimeve Evropiane në Kosovë, thuhet në një njoftim të Zyrës së BE-së në Kosovë.
Të nominuarit për shpërblimin “Evropiani i parë i vitit” janë: Majlinda Kelmendi, Kampionia evropiane e xhudos; Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës; Danijela Zubac, anëtare e Bordit të Fondit Zhvillimor; iniciativa Let’s do it Kosova – Ta pastrojmë Kosovën; Grupi për Studime Juridike dhe Politike; dhe Krenare Gashi, Shefja e Rrjetit të Qendrave Rinore të Kosovës, thuhet në njoftim.