(14:10) Protestuesit janë dëgjuar duke thirrur “Me hajna nuk ka shtet” ndërsa po mbajnë flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj ende nuk u janë drejtuar protestuesve me fjalimet e tyre, ashtu siç është paralajmëruar.
(13: 50) Disa minuta para se të fillojë protesta, tashmë sheshi Skënderbeu është mbushur me protestues.
Në ndërkohë pritet edhe arritja e liderëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, të cilët do të mbajnë fjalime para protestuesve.
Kjo është protesta e parë që organizohet për kundërshtimin e dy marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës – demarkacioni me Malin e Zi dhe marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe – pa pjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
Një protestë e planifikuar të mbahej në fund të muajit nga tri partitë opozitare – përfshirë këtu edhe Vetëvendosjen – ishte anuluar vetëm një ditë më herët. Që nga ajo kohë, këto parti kanë ndarë rrugët ndërsa kanë akuzuar njëra tjetrën për çarjen e bllokut opozitar që për rreth shtatë muaj kishte organizuar aktivitet të përbashkët, brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës.
Dhjetëra autobusë është thënë se kanë ardhur nga Malisheva dhe Peja, aty ku këto dy parti kanë shumicën e përkrahësve.