
Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës, ka uruar Fatmir Limaj pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e shpalli të pafajshëm Limajn për “rastin Kleçka”.
Ai ka thënë se vendimi i gjykatës vjen pas “disa përpjekjeve politike për të gjetur fajësi”.
“Ky vërtetë është lajm i mirë, jo vetëm për të akuzuarit, por edhe Drejtësinë tonë goxha të lënduar”, ka thënë Krasniqi.
“Në një rast të tillë, urimi ju shkon dhe ju shkon shumë familjarëve që për vite jetuan nën ankthin e frikës, frikë që nuk i lejonte ta gëzonin lirinë e fituar me sakrifica të shumta. Është lajm i mirë për bashkëluftëtarët e bashkëkombësit”.
Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë ankesën e Prokurorisë dhe e ka vërtetuar në tersi aktgjykimin e shkallës së parë që e shpall Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarë të tij të pafajshëm.
Për këtë vendim, Insajderi ka raportuar më 16 prill të këtij viti. Pafajësia e Limajt konfirmohet nga aktgjykimi prej 96 faqesh i siguruar nga Insajderi.
Por, Krasniqi ka thënë se vendimit për Limaj do të duhej t’i gëzoheshin edhe partitë në pushtet.
“Ata kur bëhen ndjekje spektakulare, vrapojnë ta mbështesin “sundimin e ligjit”?! Shumë, shumë mirë! Po, pse nuk e mbështesin verdiktin e gjyqësorit, kur ai është pozitiv, si në rastin në fjalë”, ka shkruar ai në llogarëinë e tij në Facebook./Insajderi.com