
Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha ishte treguar bindës kur gjatë qeverisjes së tij kishte bërë premtimin se porti i Shëngjinit do t’i jepej Kosovës. Premtimi ishte dhënë në vitin 2009 por asgjë nuk u bë në këtë drejtim, përderisa Edi Rama zëvendësoi Berishën.
Kur Rama erdhi në pushtet, ky port iu dha Kinës me koncesion për 25 vjet dhe kësisoj iu shuan shpresat.
Disa vite pas kësaj historie, Shqipëria tashmë ka premtuar një tjetër port për Kosovën.
Në një tryezë të organizuar sot në Prishtinë, ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, tha se importuesit kosovarë dhe Kosova mund ta shfrytëzojnë portin e Durrësit dhe se ky port do të funksionojë si ndalesa e fundit për bizneset kosovare.
“Kryesorja është ideja që porti i Durrësit të jetë me procedura unike për sipërmarrësit kosovarë, e thënë më thjeshtë në kuadrin e fasilitimit të tregtisë ky port të funksionojë si ndalesa e fundit për importuesit kosovarë”, tha ministri Ahmetaj në takimin përgatitor për mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive që pritet të realizohet në fillim të muajit qershor./Insajderi.com