
Policia e Kosovës ka thënë se ka vërejtur kohët e fundit rritje të qarkullimit të automjeteve të ndryshme që në mënyrë të jashtëligjshme po shfrytëzojnë dritat rotative për të kaluar më lehtë në trafik.
Përmes një komunikate për media, policia tërheqë vërejtjen duke thënë se një veprim i tillë është kundërvajtje dhe i dënueshëm.
“Andaj, për të gjithë ata që nuk veprojnë sipas rregullave në komunikacionin rrugor dhe të cilët posedojnë apo përdorin pajisje të tilla të kundërligjshme në mjetet e tyre, do të ndërmerren masat e duhura konform Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor,” thuhet në një komunikatë për media të policisë.
Policia ka treguar se personi i cili monton pajisje të tilla, në kundërshtim me ligjin, dënohet me gjobë prej 140 eurosh.