
Dy persona kanë humbur jetën në një aksident rrugor që ndodhi mëngjesin e sotëm në unazën e qytetit të Durrësit.
Aksidenti u regjistrua në afërsi të mbikalimit Plepa-Shkozet, ku automjeti tip “Peugeot” doli nga rruga pas përplasjes me barrierat anësore të saj.
Policia lokale bëri të ditur paraprakisht se në automjet ndodheshin gjashtë të rinj dhe si pasojë e përplasjes njëri prej tyre gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa një tjetër humbi jetën në spital.
Katër të tjerët mbetën të plagosur dhe sipas burimeve 3 prej tyre janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa njëri në gjendje më të rëndë. Personat e dëmtuar në aksident janë banorë të zonës së Nish-Tullës, në Shkozet të Durrësit.
E ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit, nga veprimet e para rezulton se automjeti po lëvizte me shpejtësi teksa është futur në një kthesë të fortë të këtij aksi, ku investimi në rrugë nuk është shoqëruar me sinjalistikën paralajmëruese.