
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Malin e Zi për dhjetëvjetorin e pavarësisë së këtij vendi, duke thënë se shteti fqinj ka dhënë përkrahje për Kosovën.
Për më tepër, Thaçi ka thënë se Kosova ndihet më e sigurt “tani kur kemi dy shtete anëtare të NATO-s në kufijtë tanë” duke iu referuar kështu Malit të Zi dhe Shqipërisë.
“E falënderova Presidentin Vujanovic për ftesë, për përkrahjen që Mali i Zi ka dhënë për Kosovën dhe kosovarët, që nga ekzodi i 1999 e deri tek njohja e pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Thaci në llogarinë e tij në Facebook.
“Kosova ka partneritet strategjik me Malin e Zi. Sot fqinji ynë festoi dhjetëvjetorin e pavarësisë si dhe anëtarësimin në NATO. Së bashku me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk, ishim në Shën Stefan për ta uruar lidershipin dhe popullin mik për të arriturat e një dekade”, ka shtuar Thaci./Insajderi.com