
Aleksandar Spiriq, aktualisht nënkryetar i komunës së Mitrovicës së veriut, që nga viti 2014, në këtë komunë drejton edhe të ashtuquajturin organ i përkohshëm të mbështetur nga shteti serb.
Sipas tij, kjo strukturë bashkëpunon me institucionet e qeverisjes lokale në Mitrovicë të Veriut, që janë në kuadër të sistemit të Kosovës. Por, siç thotë ai, koha ka treguar se organi i përkohshëm është më funksional se institucionet lokale të dala nga zgjedhjet e Kosovës.
“Detyra e jonë e përbashkët është interesi i qytetarëve. Këtu jemi në detyrën e njëjtë dhe secili rol është i rëndësishëm, i yni dhe i tyre, për krijimin e ambientit më të mirë dhe zgjidhjen e problemeve të grumbulluara në qytet”, ka thënë Spiriq për Radio Europa e Lirw.
Spiriq e hedh poshtë mundësinë e shuarjes së strukturave paralele, të cilat ai i quan organe të përkohshme.
“Ndoshta kjo do të ishte dëshira edhe e disa njerëzve tanë që bëhet kjo shuarje, por kjo është ëndërr e cila nuk do të realizohet. Kemi garanci të forta nga Qeveria e Republikës së Serbisë që shuarja e organit të përkohshëm nuk do të ndodhë”, shprehet Spiriq. (Radio Europa e Lirë)