
Subjekti më i madh politik opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, paralajmëron një ofensivë të re në ditët në vijim, për t’i kundërshtuar marrëveshjet për Asociacioin me Serbinë dhe Demarakacionin me Malin e Zi.
Në pjesën e parë të qershorit pritet ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin në Kuvendin e Kosovës, me ç’rast deputetët e këtij subjekti poltik pritet të kthehen në legjislativ për ta kundërshtuar këtë Marrëveshje, e cila, sipas tyre, i humb vendit mijëra hektarë tokë.
Marrëveshja për Demarakcionin po kundërshtohet edhe nga dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, pavarësisht përçarjes në mes vete.
Në anën tjetër, partnerët e koalicionit qeverisës (LDK-PDK), kanë premtuar miratimin e kësaj Marrëveshje, si kusht për heqjen e vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, i ka thënë “Zërit” se aktivitetet që kjo Lëvizje po përgatit do të jenë jo vetëm më intensive, por, siç thotë ai, edhe më të fuqishme. /Zëri