Aleanca Kosova e Re ka kërkuar nga institucionet qendrore të shtetit që të ndihmojnë kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, në tentimin e tij për të gjetur zgjidhje për problemin e Urës së Ibrit.
AKR ka inkurajuar publikisht anëtarin e vet, Bahtirin, “që të vazhdojë me përkushtim si gjithnjë në zgjedhjen e këtij problemi”.
“AKR-ja kërkon edhe nga institucionet e Kosovës që ta mbështesin dhe ndihmojnë angazhimin e Bahtirit në zgjidhjen e këtij problemi shumë të ndjeshëm për vendin”, thuhet në një komunikatë për media të dërguar nga kjo parti.
Ura mbi Ibër planifikohej që të lirohej për qarkullim më 15 qershor bazuar në një marrëveshje të arritur në Bruksel, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.
AKR po ashtu tërheq vëmendjen se Cilado zgjidhje që ofrohet, për kufijtë administrativë, duhet të jetë në harmoni me pakon e Ahtisaarit “dhe kërkesat e banorëve të Mitrovicës, rrugë të cilën po e ndjek edhe kryetari i Mitrovicës z. Bahtiri”./Insajderi.com