
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të enjten “Statistikat e Vdekjeve” për vitin 2015.
Vdekjet e raportuara nga familjarët dhe të regjistruara në regjistrat themeltar të vdekjeve, për vitin 2015 kanë qenë 8958, prej tyre vdekje të ndodhura vetëm në Kosovë 8202, kurse vdekje të cilat kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej 756.
Nga gjithsej vdekjet e raportuara, të ndodhura vetëm në Kosovë, 4 638 janë meshkuj ose 56.5% dhe 3 564 janë femra ose 43.5%. Prej tyre, 45.6% e rasteve të vdekjeve kanë ndodhur në institucione shëndetësore, ndërsa 52.9% kanë ndodhur në shtëpi dhe 1.5% në vend tjetër, njofton ASK.
Nga numri total i vdekjeve, 238 apo 2.9 për qind, kanë qenë foshnja.
“Sipas komunës, ku ka ndodhur rasti i vdekjes, në Prishtinë janë 2 634 raste ose 29.4%, në Prizren janë 922 ose 10.3%, në Gjilan janë 473 ose 5.3% etj.Kurse, 77.9% e të vdekurve janë të moshës 60 e më shumë vjeç”, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërkaq, vdekje të dhunshme në vitin 2015 u raportuan gjithsej 199 ose 2.4%, nga të cilat në fatkeqësi 142 ose 71.4%, vetëvrasje 36 ose 18.1% dhe vrasje 17 ose 8.5%. Kurse, tek të gjitha vdekjet e dhunshme mosha është 20-49 vjeç, si te meshkujt ashtu edhe te femrat”