
Nisma për Kosovën ka akuzuar të martën kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja, se është i rrethuar nga krimi i organizuar dhe “njësitet parapolitike.”
Përmes një komunikate për media, Nisma thotë se Muja është i pafuqishëm përballë drejtorëve të tij.
Sipas Nismës, drejtorët komunalë të trimëruar nga pafuqia politike e kryetarit kanë filluar të “uzurpojnë” dhe kompetencat e tij, “bile ka raste të tilla kur guxojnë që të adresojnë në kuvend edhe çështje të tilla, siç është dhënia e pronës komunale në shfrytëzim, që është në kundërshtim me Ligjin”.
“Fjala është për drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili ka kërkuar që Komiteti për Politikë dhe Financa ta përfshijë në rendin e ditës së kuvendit, për datën 30 qershor 2016, dhënien në shfrytëzim të stadiumit të qytetit “Përparim Thaçi” për KF”Liria” për periudhën afatgjate 50 vjeçare. Ligji e përcakton se prona komunale në shfrytëzim për afatet e gjata nga 15 – 99 vite bëhet pasi ta jetë mbyllur procedura e konkurrimit të hapur (45 ditë), me propozim të kryetarit të komunës dhe miratimin e kuvendit komunal me shumicën e votave”, thuhet në komunikatë.
“Pra Ligji kërkon konkurrim të hapur dhe jo favorizim të asnjë personit fizikë apo juridik, siç po pretendohet në rastin konkret”, sqaron Nisma./Insajderi.com