VV: Do ta vendosim sërish tabelën dhe flamurin - Mali i Zi i vodhi tinëz - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    VV: Do ta vendosim sërish tabelën dhe flamurin – Mali i Zi i vodhi tinëz

    Insajderi
    28 June 2016 - 19:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj heqjes së tabelës së vendosur të hënën në pikën kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës, që është hequr nga autoritetet kufitare të Malit të Zi me arsyetimin se vendosja e saj bashkë me flamurin e Shqipërisë, përbën shkelje të kufirit.

    Vetëvendosje e thotë të kundërtën. Sipas tyre, autoritet e Malit të Zi kanë shkelur territorin e Kosovës dhe kanë vjedhur në mënyrë tinëzare tabelën dhe flamurin e Shqipërisë, të cilit VV-ja i referohet si “flamuri i shtetit tjetër” ani pse vet ata e kanë vendosur si simbol kombëtar të shqiptarëve.

    Insajderi ka raportuar më herët se autoritetet e Malit të Zi kanë hequr tabelën dhe flamurin, dhe VV-ja shkruan se ka mësuar pikërisht nga portalet faktin se “Policia e Malit të Zi e paska hequr tabelën “Mirësevini në Republikën e Kosovës” (në tri gjuhë) dhe flamurin kombëtar shqiptar”, të cilat VV thotë se i vendosi tek vendi i quajtur “Varri i Nuses”.

    “Pra te pika kufitare midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Ne e dënojmë aktin e policisë malazeze që shkel territorin e shtetit të Kosovës dhe ndërhyn tinëzisht për të vjedhur tabela mirëseardhjeje dhe flamuj të shtetit tjetër”, thuhet në reagimin e VV-së.

    Partia opozitare që ka një vit që po e kundërshton marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, thotë se tabela do të vendoset përsëri.

    “Deputetët tanë do ta vendosin sërish tabelën e flamurin atje, por nuk janë policë që t’i ruajnë ato 24 orë në ditë e 7 ditë në javë. PK dhe FSK duhet ta bëjnë këtë. Ato nuk është e thënë që ta presin qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s për këtë gjë”, thuhet në komunikatën e VV-së.

    Mali i Zi heq tabelën e vendosur nga Vetëvendosje – e quan shkelje të kufirit

    Sipas autoriteteve malazeze, “tabela dhe flamuri janë vendosur në territorin e Malit të Zi në mes të pikës kufitare Kula dhe në pikën kufitare te lumi Sava në pjesën e Kosovës”.

    “Pasi janë përcaktuar faktet se kufiri shtetëror është shkelur, oficerët e policisë kanë ndërmarrë të gjitha masat në konsultim me prokurorin përkatës të shtetit, dhe janë hequr tabela me flamur”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi.

    VV-ja ka mohuar edhe pohimin e autoriteteve malazeze, sipas të cilëve pasi kanë paralajmëruar deputetët e VV-së se kanë shkelur kufirin, ata janë larguar.

    “Pesë deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndruan dje mbi një orë në këtë pikë kufitare. Policia e Malit të Zi, sipas banorëve atje, shfaqet andej pari çdo 15 minuta, mirëpo ajo nuk erdhi fare të hënën. Të martën e paskan vjedhur shënjimin e drejtë të kufirit që bëmë”, thuhet në komunikatën e VV-së, raporton Insajderi.

    VV-ja ka sqaruar se vendi i njohur si “Varri i Nuses” ndodhet 29 km larg Pejës dhe 18 km larg Rozhajës, si dhe 8 km larg nga pika e kontrollit të policisë së Kosovës e 2 km nga ajo e Malit të Zi.

    “Policia e Kosovës (PK), por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), duhet të shkojnë te Varri Nuses sepse janë të thirrur dhe paguhen për ta mbrojtur kufirin e territorit tonë”, thuhet në komunikatë e cila përfundon me zotimin se VV nuk do të lejojë ratifikimin në Kuvend të “marrëveshjes private të Thaçit me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit i cili na i humbet mbi 8.200 hektarë”.

    “I ashtuquajturi President Thaçi duhet të përgjigjet për krimin dhe tradhtinë e bërë”, thuhet në fund të komunikatës./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark