
Zëvendësministër i Administrimit të Pushteti Lokal, Bajram Gecaj i është kundërpërgjigjur Albana Gashit, kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi kjo e fundit ka thënë se Gecaj po e krahason Car Lazarin me Adem Jasharin.
Anëtari i LDK-së në qeverinë e Kosovës demantoi këto fjalë, duke i quajtur ato si “cinike”.
“Kur më akuzon jo njerëzisht se paskam krahasuar Car Lazarin me Adem Jasharin. Pse kaq ulët, pse kaq paskrupullt? Si mund ta justifikoni këtë konstatim? Në asnjë mënyrë fare. Prandaj as edhe nuk provoni. Unë nuk kam krahasuar dy personalitete, por dy procedura juridike të bëra në dy komuna, për probleme të ngjashme, dhe atë nga një ministri tjetër, jo nga ministria ku punoj unë”, deklaroi Gecaj.
Gecaj e ka quajtur këtë konstatim cinizëm dhe ka thënë se nuk ka bërë një krahasim mes dy figurave, raporton Insajderi.
Një ditë më parë, Gecaj, i cili njëherësh është edhe njëri nga këshilltarët e kryeministrit Isa Mustafa, kërkoi dorëheqjen e Shpend Ahmetit, ndërsa për ndërtimin e shtatores së Car Llazarit në Mitrovicën Veriore tha se është “kompetencë komunale”. /Insajderi.com
Ja postimi i plotë i Bajram Gecajt në Facebook:
CINIZMI I “ZONJËS” ALBANA GASHI DHE TË NGJASHMËVE
Cinizmi s’ka kufi. Ai merr dimensionin më të neveritshëm kur fshihet prapa patriotizmit. Këtë të pabërë cinike e bën Albana Gashi (e bërë ish-deputete e VV mbi fatkeqësinë e dikujt tjetër, në bazë të renditjes alfabetike), kur më akuzon jo njerëzisht se paskam krahasuar Car Lazarin me Adem Jasharin. Pse kaq ulët, pse kaq paskrupullt? Si mund ta justifikoni këtë konstatim? Në asnjë mënyrë fare. Prandaj as edhe nuk provoni. Unë nuk kam krahasuar dy personalitete, por dy procedura juridike të bëra në dy komuna, për probleme të ngjashme, dhe atë nga një ministri tjetër, jo nga ministria ku punoj unë. Apo ndoshta doni të tregoheni e zellshme dhe luajale, ndaj atyre që ju shtyjnë të gënjeni dhe trilloni kundër meje, si hakmarrje për kërkesën time legjitime që Shpend Ahmeti të jap dorëheqje. Sido që të jetë, përmbahuni nëse doni që të tjerët tu ju drejtohen me zonjë.