
Ministria e Punëve të Jashtme, e ka cilësuar si veprim të ngutshëm “Notën e Protestës” për Kosovën të cilën e dërgoi të mërkurën Ministrisë së Jashtme dhe Integrimit Evropian e Malit të Zi.
Sipas MPJ-së, “reagimi nga ana e Ministrisë së Jashtme dhe Integrimit Evropian e Malit të Zi, ka qenë i ngutshëm dhe pa ndonjë arsye serioze për tu shqetësuar sa i përket raporteve tona të ndërsjella”.
Përmes një komunikate, ministria kosovare thekson se Kosova dhe Mali i Zi kanë raporte të shkëlqyeshme shtetërore dhe e siguron shtetin fqinj se Kosova do të vazhdojë ta kultivojë këtë marrëdhënie ndërshtetërore.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane e Malit të Zi të mërkurën i ka dërguar notë proteste Kosovës për vendosjen e flamurit të Shqipërisë dhe tabelës me mbishkrimet “Republika e Kosovës” dhe “Mirësevini”, nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në territorin e Malit të Zi. /Insajderi.com