
Presidentja e katërt e Kosovës, Atifete Jahjaga po merr pjesë si paneliste në konferencën “Pjesëmarrja e Grave në Zgjidhjen e Konflikteve” në Vjenë, të organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Kështu ka bërë me dije vet Jahjaga në një postim të sajin në Facebook, duke e cilësuar këtë konferencë si të rëndësishme për faktin se mbahet në kohën kur konfliktet në mbarë botën janë intensifikuar dhe kur bota po përballet me terrorizëm bashkë me fluksin e “refugjatëve që po largohen nga shtëpitë e tyre për t’u strehuar në vende të sigurta”
“Pamjet e grave dhe të fëmijëve nëpër kampe të vendosura pranë kufijve të shteteve të Bashkimit Evropian, na përkujtojnë që jo shumë kohë më parë, edhe familjet kosovare u detyruan të bënin të njëjtën gjë”, ka shkruar Jahajaga në Facebook.
“Prandaj, unë këtij diskutimi ja shtova përvojat personale, duke folur se si gratë e Kosovës kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë rolin kyç në ndërtimin dhe rehabilitimin e shoqërisë tonë pas luftës”, ka shtuar ajo.
Edhe pse ishin viktimat më të mëdha, të shtypura pamëshirshëm në një luftë të tmerrshme, sipas Jahjagafës, gratë megjithatë u bënë shtyllat më të forta të shoqërisë.
“Ishin gratë kosovare ato që mbajtën familjen e bashkuar, organizuan politikisht vendin dhe shoqërinë për të kërkuar liri”, ka thënë Jahjaga./Insajderi.com