
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ka thënë se Kosova s’duhet të shohë më skena të dhunës dhe ngjarje jo të zakonshme në parlament siç i kemi parë gjatë muajve të fundit.
Sipas tij, ngjarjet që kanë ndodhur në legjislativin vendit, nuk dëshiron as t’i kujtojë dhe se çelësi për të zgjidhur gjithçka është dialogu.
“Kanë kaluar muaj nga situatat jo normale në mes pozitës dhe opozitës, sa kur i kujtoj më duket se nuk kanë ndodhur fare. Është e rëndësishme që të bisedojmë për gjithçka. Opozitën nuk e mendoj të atij formati çfarë e kemi parë, nuk duhet të kemi opozita të asaj natyre. Opozitën e mendoj siç ishte LDK-ja kur ndodhej në atë pozitë, të kritikojë dhe të korrektojë qeverisjen”, ka thënë Shala, për Klan Kosova.
Tutje ai ka thënë se nuk ka ambicie politike por është këtu për t’i ndihmuar Kosovës.
“Puna në fushën e politikës është thjesht shërbim, nuk do të shkoj përtej kësaj. Politika si punë është e vështirë dhe kur njeriu përpiqet të punojë më shumë se sa një fushë siç është rasti im, bëhet edhe më e vështirë. Unë këto punë i kaloj me një lehtësi më të madhe sepse nuk kam ambicie politike. Thjesht bëj një shërbim”, ka thënë Shala./Insajderi.com