Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se veprimi i Lëvizjes Vetëvendosje, duke vënë në kufi me Malin e Zi, tabelën “Mirësevini në Republikën e Kosovës” bashkë me një flamur të Shqipërisë, të cilat nga autoritetet malazeze janë hequr duke u cilësuar si shkelje e kufirit, mund të shkaktojë incidente të rënda.
“Është jo racionale dhe e dëmshme që kufiri të caktohet me kutin e patriotëve dhe tradhtarëve. Me këtë kut ne mund të flasim për kufirin këndej, jo andej në Mal të Zi. Sepse atje në dhjetëditëshin e parë të korrikut do të jetë kufi me një vend të NATO-s”, ka shkruar Mustafa në Facebook, duke lënë të kuptohet se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi do të ratifikohet brenda këtyre 10 ditëve.
Sipas tij, Kosova duhet ta bëjë shënimin e kufirit me Malin e Zi ndërsa kundërshtarët e demarkacionit, “të cilët herë thonë se Kosova i humbi 12,000 e herë 8,000 hektarë duhet të tregojnë se kush ishte zotëruesi i këtyre hektarëve të humbur”.
“Sot e kësaj dite, asnjë qytetarë i Rugovës nuk e dëshmoi se një metër katrorë tokë e tij, e cila është administruar deri tani në Kosovë, ka kaluar në Mal të Zi. Asnjë kompani private as publike, asnjë agjension qeveritar dhe as Komuna e Pejës. Nëse nuk është zvogëluar Komuna e Pejës, dhe zyrtarët e kësaj komune thonë se ajo nuk është zvogëluar por i ka rreth 602.8 km katror, atëherë ku u gjetën këta hektarë të humbur. Kosova nuk ka edhe një komunë ndërmjet Pejës dhe kufirit me Malin e Zi”, ka shkruar kryeministri në Facebook.
Ai ka pasur disa fjalë edhe për gjeografët që po pohojnë se Kosova po humb tokë.
“Ndërkaq, nëse siç pretendojnë disa gjeograf, është humbur një tokë e cila ka qenë as e Kosovës dhe as e Malit të Zi, atëherë edhe në këtë rast nuk mund të thuhet se është humbur tokë e Kosovë, por shansi për të marrë një tokë. Por po ashtu është një e pavërtetë e madhe se ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ka pasur tokë të askujt”, ka shkruar kryeministri.
Sipas tij, qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvend duhet ta dinë qartë se demarkacioni është një obligim i Kosovës, para bashkësisë ndërkombëtare, obligim edhe për liberalizim të vizave.
“Nuk është çmim për liberalizim, sepse askush nuk e ka argumentuar asnjë metër te territorit të Kosovës se po epet për viza. Por nëse nuk bëhet demarkacioni Kosova do të humb shansin për të lëvizur pa viza. Ndërkaq ekziston , po ashtu, rreziku që Kosova të futet në një cikël ku individët mund të shkaktojnë incidente kufitare me një vend mik, anëtar të NATO-s”, ka shkruar kryeministri.
Procesi i demarkacionit sipas Mustafës, nuk përmbyllet me ratifikimin e tij, pasi në çdo rast kur dikush në Kosovë argumenton se ka bazë ligjore për të kërkuar korrigjim, kjo mund të bëhet , në harmoni edhe me deklarimin e Malit të Zi./Insajderi.com