Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’i rezistojnë “çfarëdo presioni” që mundet të vijë për të votuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
Përmes një komunikate për media, AAK thotë se qytetarët e Kosovës u kanë dhënë besimin deputetëve për të mbrojtur sovranitetin e integritetin e republikës, “prandaj mos e sakatoni Kosovën për të ruajtur një Komision Qeveritar që po e tkurr territorin e vendit.”
“Nuk ruhen raportet me askënd duke e dëmtuar veten”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
“Kosova ka dhe do të ketë raporte të mira me fqinjët e saj, por në asnjë variant kjo nuk don të thotë që duhet të jepet territor për fqinjësi të mirë. Ne, nuk po pretendojmë në territoret e humbura para 103 vjetësh, por të ruajmë këtë territor që e kemi”, thuhet në komunikatë.
“Grupi Parlamentar i AAK-së, ju bënë thirrje që të kundërshtohet në çfarëdo forme ratifikimi i kësaj marrëveshje që e dëmton Kosovën më mbi 8.8 mijë hektarë tokë”, përfundon komunikata.
Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi, edhe pse ky është kusht për liberalizimin e vizave.
Për gati një vit, partitë opozitare nuk kanë rreshtur së kundërshtuari këtë marrëveshje./Insajderi.com