“Jemi këtu në Kosovë që t’ju mbështesim për atë që keni bërë deri më tani si institucione të Kosovës. Ky është gjithashtu qëndrim NATO-s dhe i ministrave të Brendshëm e të Jashtëm”, ka thënë komandanti i Forcave Supreme të NATO-s për Evropë, gjeneralin Curtis Scaparrotti, pas takimit që ka pasur me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku mori pjesë edhe komandanti i KFOR-it në Kosovë, Guglielmo Luigi Miglietta.
Ai gjithashtu ka thënë se do ta mbështesin edhe më tej Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“I mbështesim përpjekjet tuaja për normalizim të marrëdhënieve me Serbisë, për zhvillim ekonomik dhe do ta vazhdojmë edhe mbështetjen për FSK-në”, ka shtuar gjenerali Scaparrotti.
Ndërsa, Presidenti Thaçi, përveç rolit të KFOR-it në Kosovë, me gjeneralin Scaparrotti bisedoi edhe për
punën që është duke u bërë për transformimin e FSK-së në një forcë të re multietnike, dhe për synimet që ka Kosova – që të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, si një parakusht për anëtarësim të saj të plotë në NATO.
“Ne jemi duke punuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Janë shënuar disa përparime, por mbetet për t’u bërë më shumë. Gjithashtu, tani jemi të angazhuar edhe në transformimin e FSK-së në një forcë të re multietnike dhe që shteti ynë sa më shpejtë të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, si një parakusht për t’u bërë anëtare e plotë e NATO-s”, ka thënë presidenti Thaçi.
Thaçi më tej shtoi se, sikurse shumë vende të botës, edhe Republika e Kosovës është ballafaquar me shkuarjen e të rinjve në luftërat në Irak dhe Siri. Por, sipas tij, me hartimin e ligjeve dhe mekanizmave për të parandaluar shkuarjen e tyre, në 10 muajt e fundit asnjë kosovar nuk ka shkuar më që të bëhet pjesë e këtyre luftërave. /rtk.