Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të premten aktakuzë ndaj tre personave në Mitrovicë të cilët dyshohen se kanë kryer veprat penale krim i organizuar, kontrabandë me mallra dhe shmangie e tatimit.
Siç njofton prokuroria, të pandehurit karburantet e naftës të blera në Serbi, i kanë futur ilegalisht në Kosovë, përmes kompanive të tyre, të cilat nuk posedonin licencë për importin e karburanteve.
Këto karburante transportoheshin nga auto transportuesit, të cilët ishin të regjistruar në Serbi dhe të njëjtat nuk paraqiteshin në terminalin doganor në jug të Mitrovicës, ku kanë qenë të obliguar të zhdoganohen.
Prokuroria thotë se transportuesit i dërgonin ato karburante direkt në pompa të benzinës, të cilat gjenden ne veri të Kosovës dhe të cilat nuk kanë leje përkatëse për tregti me karburante.
“Pasi që nuk paguajnë tatim për karburante kjo sasi e karburanteve shitej me çmim më të lirë gjegjësisht nën çmimin e tregut, ku rezulton se të pandehurit e lartcekur të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, duke futur mallra të importuara në mënyrë të kundërligjshme dhe të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë,” sqaron prokuroria.
Vlera e mallit të importuar në mënyrë të kundërligjshme nga Serbia arrin në mbi 3 milion euro.
Sipas prokurorisë, të pandehurit “i kanë shkaktuar dëm në shkallë të madhe buxhetit të Kosovës, duke iu shmangur pagesës së akcizës në shumë prej 1,243,348.59€, llojit të tatimit në emër të TVSH-së në shumë prej 684,681.60€, tatimit të paragjykuar 3% në vlerën e shitur në shumën prej 92,705.43€ dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën prej 30,901.81€.”
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës./Insajderi.com