Një ditë pas grabitjes spekatokalore në Rinas, shoqata shqiptare e bankave ka shprehur shqetësimin se vjedhjet e parave gjatë transportit janë bërë më të shpeshta.
“Është hera e tretë në 18 muaj dhe ndodh në të njëjtin aks, nga qyteti në aeroport. Kjo e treta është bërë brenda aeroportit, ku është dhe zona me kushtet më të larta të sigurisë”, deklaron përfaqësuesi i shoqatës, Spiro Brumbulli.
Por shqetësimi më i madh i shoqatës është se deri tani autoritetet nuk kanë mundur të zbardhin asnjë nga grabitjet.
“Kërkojmë me forcë që këto raste të zbulohen. Në të kundërt do të kemi një rast të katërt e të pestë. Ne duam një përgjigje, që bankat të zhvillojnë aktivitetin të mbrojtura. Mund të ndodhë ngjarja, por duhet bërë mësim për të tjerët se nuk është kaq e lehtë, se mund të gjendet fajtori”, ka thënë Brumbulli.
Spiro Brumbulli siguroi qytetarët se këto ngjarje nuk cënojnë gjendjen financiare të bankave. “Bankat janë në aktivitetin e tyre normal, të mbrojtura sikundër ndaj çdo risku tjetër. Si për kredinë që marrim kolateral, në rastin e lëvizjes së parasë kesh bëjmë sigurimin me shoqëritë e sigurimit përkatës”, thotë Brumbulli.
Por ai vëren se përsëritja e tyre nuk e ndihmon sistemin financiar dhe ekonominë në tërësi, njofton Top-Channel.
“Në një kohë kur po bëjmë të gjitha përpjekjet për të rritur kreditimin ndaj ekonomisë, ngjarje të tilla nuk e ndihmojnë klimën e besimit”, vijon Brumbulli.
Një ditë më parë persona të armatosur grabitën në pistën e aeroportit rreth 1 milionë euro, të cilat po trabnsportoheshin jashtë për llogari të një banke private. /Insajderi.com