Policia sekuestroi të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza” për të zbuluar autorët e grabitjes me armë.
Pamjet e kamerave të sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza” tregojnë dinamikën e ngjarjes së rëndë që shkatërroi gjithë sistemin e sigurisë ndërsa tre persona me maska e armë mundën të hyjnë e të dalin qetësisht në pistën e avionëve pasi rrëmbyen një sasi të madhe parash.
Një person me veshje fosforeshente, të ngjashme me ato të punonjësve të aeroportit, ka hapur portën e shërbimit e cila përdoret vetëm për futjen e mjeteve që furnizojnë avionët me karburant.
Në derë nuk ka asnjë rojë, as civil dhe as i armatosur, për pak sekonda është prerë dryni i portës, transmeton Insajderi.
Prej andej nga hyrë një automjet tip “Benz-Mercedez” 250 me ngjyrë vishnje i cili ka ecur përgjatë regjimit të aeroportit duke u ndalur në vendin ku automjeti po shkarkonte thasët me para.
10 punonjës të kompanive të sigurimit dhe administratoret e tyre, përgjegjës për ruajtjen, janë shoqëruar nga policia. Ndalimet janë bërë nga Policia e Tiranes dhe e Krujës, e cila është në varësi të Durrësit ndërsa njoftohet se janë shoqëruar edhe 16 persona të tjerë të skeduar si kontingjent i policisë që jetojnë apo punojnë në zonën përreth.
Bubqi njihet si zonë e skeduar nga policia, jo thjesht për aktivitete kriminale, por edhe për fshehjen e personave me lidhje ekstremiste islamike, por me urdhër të prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla kanë filluar hetimet edhe për drejtuesit e policisë së Rinasit pasi masat e sigurisë së aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend, dy ditë pas ngjarjeve të Stambollit, rezultuan në nivel zero.
Hetimet për grabitjen e parave në pistën e aeroportit të Rinasit i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa fillimisht u ndoqën nga Prokuroria e Krujës.
Vendimi u mor nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi dyshohet se grabitja është bërë nga një grup i strukturuar kriminal. Një prokuror i Krimeve të Rënda ishte komisariatin e policisë së Rinasit, për të mbledhur dëshmi dhe prova.
Gjithsesi fakt është se vjedhja rezultoi një skandal nga pikëpamja e sigurisë. Fati i vetëm, është se tre personat e Rinasit, ndryshe nga tre personat e Stambollit, zgjodhën të enjten në pistën e Rinasit dhe të armatosur, të jenë vetëm hajdute, dhe jo terroristë.
Burimi: Top-Channel