Drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Idriz Blakaj, ka reaguar ndaj shkrimit të botuar në Insajderi, me titull “Mijëra euro u keqpërdoren në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’, bazuar në të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për këtë Agjenci.
Auditorët kanë gjetur se Agjencia shtetërore për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale ka shpenzuar afër 4 mijë euro në angazhimin e ekspertëve të jashtëm në projektin e restaurimit dhe konservimit të shtëpive në kompleksin “Adem Jashari”.
Sipas tyre, ky shpenzim është bërë kundërligjshëm pasi që nuk ka pasur transparencë në angazhimin e këtyre ekspertëve, por sipas drejtorit Blakaj, angazhimi i këtyre ekspertëve është bërë pasi mungojnë këta ekspertë në Kosovë.
“Angazhimin e ekspertëve të jashtëm ne si Agjenci e kemi të lejuar me ligjin për Agjencinë të cilin e ka aprovuar Parlamenti i Kosovës. Ligji për prokurimin publik nuk e precizon në asnjë rast mënyrën e angazhimit të ekspertëve të jashtëm. Angazhimi me konkurs kërkon një komision vlerësues të cilin ne nuk e kemi prandaj si të bëhet përzgjedhja e ekspertëve. Në momentin qe Ligji ta precizoj mënyrën e përzgjedhjes ne do ta zbatojmë me kënaqësi”, ka thënë Blakaj në reagimin e tij.
Madje sipas tij, angazhimi i ekspertëve të jashtëm ka qenë një proces i detyruar për shkak se mungojnë “ekspertët për konservim në Kosovë”.
E angazhimi i ekspertëve ndërkombëtar sipas Balkajt ka kushtuar lirë krahasuar me atë se sa ka mundur të kushtojë. Kjo ka një arsye.
Sipas Balkajt, kur ekspertët e kanë marrë vesh se bëhet fjalë për Kompleksin “Adem Jashari” ata e kanë ulur çmimin.
“Pagesa e tyre është krejt simbolike fal vullnetit të tyre kur e morën vesh se për çka bëhej fjalë. Sa për dijeninë tuaj shpallja e një konkursi ndërkombëtar në gazetën “The Economist”në 1/8 e faqes kushtonte 7500 euro”, ka thënë Balkaj në reagimin e tij.
Ai ka sqaruar se pagesa për mirëmbajtjen e Kompleksit “Adem Jashari” është bërë nga investimet kapitale duke vërtetuar gjetjen e auditorëve por sipas tij kjo është bërë e mundur pasi Minsitria e Financave ka ndarë mjete me kod të veçantë “bash nga investimet kapitale”.
“Prandaj edhe Auditori gabon kur konstaton diçka të tillë”, ka thënë Blakaj./Insajderi.com
Mijëra euro të keqpërdorura në kompleksin memorial “Adem Jashari”